Malësi e Madhe/ ‘Mos e prekni Cemin’, banorët në protestë kundër ndërtimit të 3 hidrocentraleve

Aktualitet

Malësi e Madhe/ ‘Mos e prekni Cemin’, banorët në

MALËSI E MADHE – Makineritë e rënda zbritën në lumin Cem, në Kelmend të Malësisë së Madhe, duke ngjallur indinjatën e dhjetëra banorëve të fshatit Vukël.

Me thirrjen “Mos e prekni Cemin”, gra, burra dhe fëmijë protestuan kundër ndërtimit të 3 hidrocentraleve. Protesta u mbështet nga organizata mjedisore dhe këshilltarë bashkiakë të PSD-së, së Tom Doshit.

Banorët pretendojnë se lejet për HEC-et janë dhënë pa konsultime publike dhe pa një vlerësim të mirëfilltë të ndikimit në mjedis.

Cemi është gjithashtu habitat i troftës së mermertë, një specie e rrezikuar. Sipas banorëve, lumi ndodhet brenda Parkut Kombëtar “Alpet e Shqipërisë” dhe ndërtimi i hidrocentraleve do të dëmtonte zonën e mbrojtur.

 Përveç natyrës, banorët thonë se HEC-et rrezikojnë dhe bujqësinë e blegtorinë.

Përmes një peticioni drejtuar Kryeministrit, Ministrisë së Energjisë dhe asaj të Mjedisit, ata kërkojnë anulimin e projekteve për HEC-et Kozhnjë 1, Kozhnjë 2 dhe Tamara.

Në kërkesat e tyre përfshihet ndalimi i menjëhershëm i ndërtimeve, transparencë e plotë dhe përfshirje e banorëve dhe ekspertëve të pavarur në vendimmarrje.

Protestuesit kërkojnë gjithashtu mbrojtje më të rreptë ligjore për Parkun Kombëtar “Alpet e Shqipërisë”.

KONCESIONARI “TAMARA HYDRO ENERGY”

Edhe pse tani ka nisur zbatimi, projekti ka një histori që nis shumë herët.

Koncesionari “Tamara Hydro Energy” sh.p.k., u krijua në janar 2019 dhe është në pronësi të ALBAVIA. Sipas të dhënave të QKB-së, ALBAVIA zotërohet nga Shkëlqim Rakipaj dhe Hasan Hafizi.

Për projektin “Ura e Tamarës”, që përfshin HEC-et Kozhnjë 1, Kozhnjë 2 dhe Tamara, hapat e parë datojnë në vitet 2014–2015.

Më 12 maj 2014, një subjekt privat iu drejtua Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë me kërkesë për shfrytëzimin hidroenergjetik të lumit Cem dhe degëve të tij, mbi Urën e Tamarës. Ky fakt rezulton edhe në auditimin e KLSH-së.

Në nëntor të vitit 2014, Ministria e Energjisë dhe Industrisë, si autoritet kontraktues, publikoi procedurën për dhënien me koncesion të HEC-it “Ura e Tamarës”.

Procedura konkurruese u zhvillua më 26 janar 2015.

Fillimisht procedura u anulua pas një konflikti dhe ankimi, por më pas gjykata rrëzoi anulimin.

Më 15 janar 2019, sipas dokumenteve të KLSH-së, u lidh kontrata koncesionare BOT për HEC-in “Ura e Tamarës”, mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe shoqërisë “Tamara Hydro Energy” sh.p.k. Në total, kapaciteti i parashikuar i tre hidrocentraleve është 14,988 kW.

Në vitin 2022, ERE nuk e nisi procedurën e licencimit të “Tamara Hydro Energy”, pasi kompania nuk kishte paraqitur dokumentacionin e plotë, ndër të tjera për financimin, projektin teknik dhe lejen e përdorimit të ujit.

Dokumentet e ERE-së tregojnë gjithashtu se për projektin e Kozhnjë 1, Kozhnjë 2 dhe Tamara ishte rekomanduar nënshkrimi i një kontrate shtesë koncesioni.

Kështu, projekti që sot kundërshtohet nga banorët e Vuklit ka një histori që nis në vitin 2014, kalon përmes procedurës koncesionare, anulimit dhe procesit gjyqësor, për t'u finalizuar me kontratën BOT.

ME TE LEXUARAT