Vaji i ullirit “përgatitet” për tregjet e BE-së
UNIDO dhe Zvicra mbështesin prodhuesit shqiptarë për standardet dhe cilësinë
Përgatitja e Shqipërisë për Tregun e Vetëm të Bashkimit Evropian kërkon jo vetëm përafrimin e legjislacionit me atë të BE-së, por edhe forcimin e kapaciteteve për zbatimin e tij. Institucionet publike duhet të garantojnë kërkesa të qarta dhe mbikëqyrje efektive, bizneset duhet të kuptojnë dhe të përmbushin detyrimet e tyre, ndërsa institucionet e infrastrukturës së cilësisë duhet të ofrojnë shërbime të besueshme, që mundësojnë demonstrimin e përputhshmërisë me kërkesat përkatëse. Ndërveprimi mes këtyre hallkave është thelbësor për ta kthyer përafrimin rregullator në konkurrueshmëri për bizneset dhe në mundësi të reja në tregjet evropiane.
Në këtë kuadër, Organizata e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim Industrial (UNIDO), në kuadër të Programit GQSP Shqipëri dhe me mbështetjen financiare të Sekretariatit Shtetëror të Zvicrës për Çështjet Ekonomike (SECO), organizoi Forumin e 4-t Kombëtar për Cilësinë dhe Standardet. Forumi vijon traditën e edicioneve të mëparshme, me fokus te cilësia, konkurrueshmëria dhe gatishmëria e bizneseve shqiptare për tregun e Bashkimit Evropian.
Këtë vit, aktiviteti u përqendrua te sektori i vajit të ullirit, duke bërë bashkë përfaqësues të politikëbërjes, ambasadës, ekspertë të fushës, akademikë, institucione përgjegjëse për garantimin e cilësisë dhe sigurisë ushqimore, si dhe prodhues. Qëllimi ishte evidentimi i sfidave me të cilat përballet sektori dhe identifikimi i nevojave për mbështetje, në mënyrë që prodhuesit dhe bizneset të përshtaten me standardet e kërkuara nga tregjet evropiane, të rrisin konkurrueshmërinë, të zgjerojnë eksportet dhe të tregtojnë produkte me vlerë më të lartë.
Në fjalën hapëse, menaxherja e Programit GQSP Albania në selinë qendrore të UNIDO-s në Vjenë, znj. Dorina Nati, theksoi se sektori i vajit të ullirit përfaqëson një potencial të madh për Shqipërinë, i cili ende nuk është shfrytëzuar plotësisht.
Menaxhere e Programit GQSP Albania në selinë qendrore të UNIDO-s në Vjenë
“Vaji i ullirit është një shembull i shkëlqyer, sepse Shqipëria ka një potencial të madh në këtë sektor, i cili ende nuk është shfrytëzuar plotësisht. Dhe besoj se për këtë jemi të gjithë dakord. Prandaj, nuk bëhet fjalë vetëm për të pasur një produkt cilësor, por edhe për të dëshmuar se ky produkt përmbush standardet e duhura të cilësisë për tregjet ku synon të hyjë. Kjo kërkon demonstrim të vazhdueshëm të cilësisë, autenticitetit, sigurisë dhe origjinës së produktit. Kjo do të thotë që prodhuesit duhet të jenë në gjendje të provojnë cilësinë e produkteve të tyre dhe të mbështeten në analiza laboratorike të njohura ndërkombëtarisht, në sisteme të qëndrueshme gjurmueshmërie, në etiketim të saktë dhe në vlerësime të besueshme organoleptike, për të përmendur vetëm disa nga elementet më të rëndësishme që përcaktojnë cilësinë e produktit. Janë pikërisht këta elementë që ndërtojnë besimin dhe sigurinë e konsumatorëve, dhe besimi qëndron në themel të sistemit të infrastrukturës së cilësisë. Për këtë nevojiten gjithashtu rregulla të qarta, institucione të forta dhe mbështetja e të gjithë aktorëve të përfshirë”, u shpreh znj. Nati.
Sipas saj, sfidat e sektorit nuk mund të adresohen në mënyrë të izoluar, por kërkojnë ndërhyrje në të gjitha hallkat e zinxhirit të vlerës dhe bashkëpunim mes aktorëve.
“Pra, sot kemi mundësinë të dëgjojmë nga ju të gjithë se si mund ta kthejmë këtë punë në praktikë dhe si të sigurojmë një ndryshim të qëndrueshëm në kohë. Kjo pasqyron gjithashtu parimin themelor mbi të cilin funksionon UNIDO dhe qasjen tonë ndaj cilësisë dhe standardeve. Kjo do të thotë se cilësia nuk mund të trajtohet vetëm në një hallkë të zinxhirit të vlerës, por kërkon një qasje të përbashkët dhe bashkëpunim mes të gjithë aktorëve. Ne punojmë së bashku me politikëbërësit në nivelin e hartimit të politikave, me institucionet e infrastrukturës së cilësisë, shumë prej të cilave janë të pranishme sot këtu, me botën akademike dhe me sektorin privat, me qëllim krijimin e një ekosistemi ku të gjithë aktorët të jenë të ndërlidhur, të bashkëpunojnë dhe të kontribuojnë në arritjen e rezultateve më të mira”, theksoi znj. Nati.
Edhe qeveria zvicerane shprehu gatishmërinë për të mbështetur agrobizneset shqiptare në rritjen e konkurrueshmërisë dhe në përgatitjen për të përfituar nga mundësitë që ofron integrimi evropian.
“Ndërsa Shqipëria po përgatitet të marrë pjesë plotësisht në Tregun e Përbashkët Evropian, objektivi ynë i përbashkët është forcimi i ekspertizës dhe i shërbimeve në nivel kombëtar, ku bizneset të mund të mbështeten me besim. Kjo do t'u mundësojë ndërmarrjeve shqiptare të konkurrojnë në mënyrë më efektive, të kenë akses në tregje të reja dhe të përfitojnë nga mundësitë që krijon integrimi evropian. Pikërisht në këtë kontekst u krijua programi GQSP Albania, me qëllim forcimin e sistemit të infrastrukturës së cilësisë në vend. Ndërkohë që përafrimi i legjislacionit me atë të Bashkimit Evropian është thelbësor, zbatimi efektiv i tij kërkon gjithashtu institucione me kapacitete të duhura, shërbime të besueshme dhe biznese të afta për të dëshmuar përmbushjen e kërkesave dhe standardeve përkatëse”, theksoi z. Arnold Philipp, zëvendësambasador i Zvicrës në Tiranë.
Nga këndvështrimi i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, përgjegjësia kryesore është krijimi i kushteve të nevojshme që agrobizneset shqiptare të kenë akses në tregjet evropiane. Në këtë drejtim, cilësia konsiderohet elementi kyç për rritjen e konkurrueshmërisë, veçanërisht duke pasur parasysh se Shqipëria prodhon rreth 30 mijë tonë vaj ulliri në vit.
“Dua të falënderoj UNIDO-n për organizimin e këtij aktiviteti dhe mbi të gjitha për kontributin e vazhdueshëm nëpërmjet Programit Global për Cilësinë dhe Standardet, GQSP Albania. Besoj se ky bashkëpunim është veçanërisht i rëndësishëm për Shqipërinë në këtë fazë të integrimit në të cilën ndodhemi sot. Kur ne flasim për standardet e cilësisë në bujqësi, në fakt flasim për një nga sfidat kryesore me të cilat do të përballemi dhe që prodhuesit do të duhet të kapërcejnë në vitet e ardhshme, për t'u bërë konkurrues në tregun e përbashkët evropian. Ne i njohim fare mirë karakteristikat strukturore të bujqësisë shqiptare. Kemi ferma relativisht të vogla, një prodhim bujqësor të fragmentuar dhe një sektor ku bashkëpunimi ndërmjet prodhuesve, fatkeqësisht, akoma mbetet i kufizuar. Në këto kushte, përmbushja e standardeve evropiane të cilësisë dhe tregtimit do të kërkojë një përpjekje të konsiderueshme, por duhet të kuptojmë gjithashtu se këto standarde përfaqësojnë një mundësi për të përmirësuar pozicionin e produkteve shqiptare në treg”, theksoi Fatmir Guri, zëvendësministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Në rëndësinë ekonomike dhe sociale të sektorit u ndal edhe kryetari i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, Agim Rrapaj, i cili theksoi se prodhimi i vajit të ullirit siguron të ardhura për një numër të konsiderueshëm familjesh shqiptare.
“Janë 112 mijë familje që prodhojnë vaj ulliri me një sasi vjetore prej 30 ton. Ne duhet të jemi pranë tyre. Nuk do të kemi cilësi dhe standarde sipas dëshirës, por sipas standardeve të Bashkimit Evropian”, theksoi z. Rrapaj.
Ekspertët e fushës ndanë gjithashtu rekomandimet e tyre për ndërhyrjet e nevojshme në sektor. Sipas Prof. Asoc. Dr. Anila Kopali, një nga sfidat kryesore mbetet fragmentarizimi i prodhimit. Ndër rekomandimet e saj u veçuan hartimi i një protokolli për trajtimin e ullirit, nxitja e inovacionit në procesin e përpunimit, përcaktimi i rregullave për ruajtjen e produktit dhe forcimi i proceseve të certifikimit.
Ndërsa Prof. Dr. Tokli Thomaj theksoi se cilësia e vajit të ullirit nis që në lëndën e parë, pra te vetë prodhuesi. Ai nënvizoi nevojën për formalizimin dhe regjistrimin e plotë të fermerëve, identifikimin e prodhimit dhe monitorimin e aktivitetit të tyre. Gjithashtu, evidentoi rëndësinë e ndërhyrjeve në ullishte, përdorimit të pajisjeve moderne për vjeljen, përmirësimit të proceseve të filtrimit dhe garantimit të higjienës në fabrikat e përpunimit. Një tjetër aspekt i rëndësishëm, sipas tij, është trajtimi i nënprodukteve të përftuara nga përpunimi i ullirit dhe diversifikimi i produkteve, duke garantuar në çdo hallkë sigurinë dhe cilësinë për konsumatorin.
Nga ana tjetër, edhe vetë prodhuesit e pranishëm në forum theksuan rëndësinë e mbështetjes për sektorin, me qëllim përmirësimin e cilësisë së produktit dhe zgjerimin e mundësive për eksport.
Forumi dhe tryeza e diskutimit mbështeten në asistencën teknike të vazhdueshme të Programit GQSP, të kërkuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, për përafrimin e kuadrit rregullator shqiptar për vajin e ullirit me kërkesat e Bashkimit Evropian.
Projektdispozitat për standardet e tregtimit, kontrollet e konformitetit dhe funksionimin e komisioneve të degustimit krijojnë një mundësi konkrete për të lidhur punën rregullatore me nevojat praktike të zbatimit në sektor.