Ekzekutohet pjesëtari i dyshuar i klanit kriminal “Skaljari” në Mal të Zi

Kosovë&Rajon

Ekzekutohet pjesëtari i dyshuar i klanit kriminal “Skaljari”

Milos Duriçkoviç, 56 vjeç, sipas mediave i identifikuar si pjesëtar i klanit kriminal “Skaljari”, është vrarë me armë zjarri këtë të shtunë në qytetin e Cetinjës, në Mal të Zi. Sipas raportimit të medias malazeze “Vijesti”, trupi i pajetë i tij është gjetur në vendbanimin Bajice, në territorin e komunës së Cetinjës.

Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë së Policisë në Mal të Zi, shërbimi i Komisariatit të Cetinjës është njoftuar në orët e mëngjesit nga një qytetar, i cili kishte konstatuar praninë e një personi të pajetë. Policia sqaron se nuk kishte marrë më parë asnjë njoftim për përdorimin e armëve të zjarrit në atë zonë.

Pas mbërritjes në vendngjarje, efektivët konstatuan se 56-vjeçari M.Đ. ishte vrarë me armë zjarri. Autoritetet kanë bllokuar zonën ku u gjet trupi, si dhe një perimetër më të gjerë dhe disa akse rrugore, ndërsa kanë nisur kërkimet për autorin.

 

Drejtoria e Policisë bëri të ditur se hetimet po zhvillohen në koordinim me prokurorin shtetëror pranë Prokurorisë së Lartë të Shtetit në Podgoricë, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

“Të gjitha kapacitetet e disponueshme të Policisë janë angazhuar për zbardhjen e kësaj vepre penale”, thuhet në njoftimin e autoriteteve malazeze.

Sipas medias “Vijesti”, Duriçkoviç ishte pjesëtar i klanit kriminal “Skaljari”, një prej grupeve të njohura të krimit të organizuar në Mal të Zi, i përfshirë prej vitesh në përplasjet me klanin rival “Kavač”.

Policia malazeze nuk ka dhënë ende detaje të tjera mbi autorin apo motivet e mundshme të vrasjes.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion