“Lushnja e bën, Divjaka jo”, Mazniku replikon me Braçen për Reformën Territoriale, deputeti i PS vë duart në kokë

Debati për Reformën Territoriale ka vijuar me përplasjen mes deputetit të Partisë Socialiste, Erion Braçe, dhe bashkëkryetarit të Komisionit për Reformën Territoriale, Arbjan Mazniku.
Pas kritikave të Braçes ndaj reformës së propozuar nga mazhoranca, Mazniku u ndal te funksionet që aktualisht kanë bashkitë, duke argumentuar se disa prej tyre nuk i ushtrojnë kompetencat që u lejon ligji.
Ai solli si shembuj zhvillimin e turizmit, strehimin social, kujdesin social, mbështetjen për arsimin profesional dhe transportin publik. Sipas Maznikut, disa prej këtyre funksioneve realizohen nga Bashkia Lushnjë, ndërsa nuk ushtrohen nga Bashkia Divjakë.
Përmendja e Divjakës shkaktoi reagim të menjëhershëm nga Braçe, i cili u pa duke kundërshtuar nga vendi dhe duke vendosur duart në kokë.
Mazniku deklaroi se bashkitë duhet të hartojnë projekte dhe programe konkrete për të përfituar financime nga Bashkimi Evropian, duke theksuar se jo çdo problem lidhet me mungesën e kompetencave ligjore apo të fondeve.
Sipas tij, sfida qëndron edhe te aftësia e bashkive për të përdorur kompetencat që kanë dhe për të zhvilluar politika konkrete në shërbim të qytetarëve.


