Skandali me 27 tonë mish nga Brazili, shkarkohen nga detyra katër inspektorë të AKU-së

Aktualitet

Skandali me 27 tonë mish nga Brazili, shkarkohen nga detyra katër

Inspektorati i Përgjithshëm ka marrë masa disiplinore ndaj katër inspektorëve të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, pas shkeljeve të konstatuara në procedurën e inspektimit të një ngarkese prej 27 tonësh me mish derri, të importuar nga Brazili nga kompania KING-MIT.

Të katër punonjësit janë larguar nga detyra për mosverifikim të dokumentacionit dhe moszbatim të procedurave ligjore.

Vendimi është marrë nga Komisioni Disiplinor i Inspektoratit të Përgjithshëm, pas shqyrtimit të dokumentacionit, vlerësimit të përgjegjësive individuale dhe zhvillimit të dy seancave dëgjimore me punonjësit e përfshirë.

Sipas vendimit, masa disiplinore e largimit nga detyra është dhënë për L.B., inspektor kontrolli në Pikën e Kalimit Kufitar pranë AKU-së në Durrës, si dhe për tre inspektorët E.T., K.K. dhe M.G., pranë Drejtorisë Rajonale të AKU-së në Fier.

Për inspektorin në Durrës, shkeljet lidhen me mosverifikimin e plotë të dokumentacionit të ngarkesës, moskontrollimin e stabilimentit të autorizuar për eksport dhe të vërtetësisë së certifikatës, duke lejuar kalimin e ngarkesës në kundërshtim me kërkesat ligjore.

Ndërsa për tre inspektorët e AKU-së në Fier, Inspektorati i Përgjithshëm ka konstatuar mosverifikim të plotë të dokumentacionit, mosidentifikim të të gjitha shkeljeve dhe vendosje të një mase administrative jo proporcionale me natyrën dhe rëndësinë e shkeljeve.

Përveç masave disiplinore, Inspektori i Përgjithshëm ka urdhëruar edhe verifikimin e ligjshmërisë së procedurave administrative të ndjekura nga Drejtoria e Përgjithshme e AKU-së për importimin dhe inspektimin e ngarkesës.

Top Channel

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion