Lamtumirë pritjes për transfertat, paratë do të kalojnë nga një bankë në tjetrën për 10 sekonda

Transfertat e parave mes bankave të ndryshme do të kryhen tashmë brenda 10 sekondash. Sistemi i ri i pagesave të menjëhershme synon të lehtësojë transaksionet për qytetarët dhe bizneset, ndërsa në fazën e dytë pritet të mundësojë edhe pagesat në pikat e shitjes.
Nëse më parë transfertat e menjëhershme mund të kryheshin vetëm brenda të njëjtit institucion financiar, tashmë vihet në funksion sistemi TIPS Clone, i cili do të mundësojë pagesa të tilla jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon.
Banka e Shqipërisë po punon gjithashtu për krijimin e një sistemi kombëtar të QR Code. Përmes gjenerimit të një kodi QR dhe skanimit të tij me telefonin celular, konsumatorët do të mund të kryejnë pagesa në njësitë ku ofrohen produkte apo shërbime.
Sistemi i pagesave të menjëhershme shkurton ndjeshëm kohën e kreditimit të fondeve në llogaritë bankare dhe funksionon pa ndërprerje, në çdo orë të ditës, përfshirë edhe fundjavat.
Në një fazë të dytë, sistemi i pagesave të çastit (instant payments) pritet të ofrojë edhe një alternativë të re për kryerjen e pagesave elektronike në pikat e shitjes.
Pagesat e çastit bazohen në kalimin e drejtpërdrejtë të fondeve nga llogaria e blerësit në atë të shitësit, duke bërë që i gjithë transaksioni të përfundojë pothuajse në kohë reale.


