E trishtë, ndahet nga jeta ish-Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë

Është ndarë nga jeta Alush Dragoshi, i cili ka mbajtur detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë gjatë viteve 1992-1997.
Lajmi është bërë i ditur përmes një mesazhi ngushëllimi nga një mik dhe bashkëpunëtor i tij i dikurshëm, i cili ka shprehur dhimbjen për humbjen e ish-kreut të Prokurorisë.
Në mesazhin e tij, ai e kujton Dragoshin si një njeri fisnik, të drejtë dhe të ndershëm, me integritet të lartë moral e profesional, i cili kishte lënë gjurmë te kolegët dhe bashkëpunëtorët e tij në sistemin e drejtësisë.
Ai tregon se është njohur me Alush Dragoshin në vitin 1993, kur ishte emëruar shef i Policisë Hetimore në Komisariatin nr. 4 në Tiranë. Sipas tij, që prej asaj kohe, Dragoshi ishte kthyer në një nga mbështetësit më të rëndësishëm të rrugëtimit të tij profesional dhe, me kalimin e viteve, në një mik të afërt.
Në mesazhin e lamtumirës, ai vlerëson veçanërisht karakterin dhe parimet e ish-Prokurorit të Përgjithshëm, duke theksuar se dinjiteti, besimi në Zot, mirësia dhe respekti për njerëzit ishin tipare të pandashme të personalitetit të tij.

“Lamtumirë, miku im i shtrenjtë, Alush Dragoshi!”, përfundon mesazhi prekës i ndarjes nga jeta të ish-kreut të Prokurorisë së Përgjithshme.
Alush Dragoshi drejtoi Prokurorinë e Përgjithshme të Shqipërisë në një periudhë të rëndësishme të historisë së vendit, nga viti 1992 deri në vitin 1997.


