Rikthehet hasmëria mes bandave në Fier, ky është Selami Hasani, i njohur si “Sel Çami” dhe “Seli i Malit”

Është gjetur i vrarë me armë zjarri në lagjen 1 Maji të qytetit të Fierit, Selami Hasani, i njohur dhe me nofkat Sel Çami dhe Seli i Malit. Viktima është një emër i njohur për drejtësinë në Shqipëri, pasi 23 vite më parë ka vrarë shtetasin Julian Isufaj, nipin e Ben Qimes.
Hasani ka qenë i dënuar me 25 vite burg për këtë vrasje, e cila ka ndodhur rreth 20 vite më parë në Fier. Hasani ishte liruar nga burgu rreth një javë më parë.
Njoftimi i Policisë
Rreth orës 09:40, në oborrin e banesës, në lagjen “1 Maji”, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri shtetasi S. H. dhe është plagosur vëllai i tij, shtetasi J. H., i cili është transportuar në spital për ndihmë mjekësore.
Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorëve. Në fshatin Dermenas është konstatuar një automjet që po digjet, i dyshuar si automjeti i përdorur nga autorët.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën intensive për zbardhjen e rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorëve.


