Hiqej si karabinier për të mashtruar të moshuarit, arrestohet 24-vjeçari shqiptar në Itali! Ja si ra në kurth

Bota

Hiqej si karabinier për të mashtruar të moshuarit, arrestohet

Një 24-vjeçar shqiptar është arrestuar në Padova të Italisë, pasi dyshohet se tentoi të mashtronte një grua duke u prezantuar si karabinier. Plani i tij dështoi, pasi gruaja që kishte telefonuar ishte gazetare, e cila e kuptoi menjëherë skemën dhe lajmëroi policinë.

Sipas mediave italiane gjithçka nisi me një telefonatë, ku një person që u prezantua si marshall i karabinierëve i tha gruas se atë mëngjes ishte kryer një grabitje dhe autorët ishin larguar duke përdorur makinën e saj. Me këtë justifikim, ai i shpjegoi se duhej të kontrolloheshin bizhuteritë dhe sendet e çmuara që ndodheshin në banesë.

 Mashtruesi i tha se pas pak në shtëpi do të mbërrinte një person i ngarkuar për të marrë bizhuteritë dhe orët, të cilat do të dërgoheshin në komisariat për t'u krahasuar me sendet e vjedhura gjatë grabitjes.

Gazetarja e kuptoi menjëherë se bëhej fjalë për një mashtrim. Megjithatë, në vend që ta ndërpriste telefonatën, ajo vendosi të hynte në lojën e mashtruesve. U shtir si një e moshuar që po u besonte fjalëve të tyre dhe, ndërsa vazhdonte bisedën, njoftoi policinë.

Në adresën e saj mbërritën efektivët e policisë dhe të Skuadrës Mobile. Pak më vonë, në banesë shkoi edhe personi që do të merrte bizhuteritë, por në vend të tyre e prisnin policët, të cilët e arrestuan në flagrancë.

Sipas autoriteteve italiane, i arrestuari është një 24-vjeçar shqiptar, pa vendbanim të përhershëm dhe me qëndrim të parregullt në Itali.

Rasti po hetohet nga autoritetet italiane për të zbuluar nëse i riu vepronte i vetëm apo ishte pjesë e një grupi që përdorte skemën e "karabinierit të rremë" për të mashtruar, kryesisht persona të moshuar.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion