Detaje të reja nga dosja Balluku/ SPAK rimerr në pyetje ish-vartësit, zbardhen komunikimet për tenderin e Llogarasë

Hetimi i SPAK për procedurën e tenderimit të tunelit të Llogarasë është pasuruar me të dhëna të reja, që kanë sjellë rikthimin në pyetje të disa prej personave të përfshirë në dosje.
Në fokus të hetimit janë disa komunikime elektronike mes zyrtarëve dhe subjekteve që kanë marrë pjesë në procedurën e tenderimit. Sipas të dhënave të bëra publike, këto materiale i janë vënë në dispozicion SPAK-ut nga persona të tjerë, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur.
Në dy ditët e fundit, prokurorët kanë thirrur sërish disa ish-zyrtarë të lidhur me procedurën. Fillimisht janë marrë në pyetje Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, ndërsa sot është paraqitur për të dëshmuar edhe ish-Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Viola Haxhiademi.
Në kuadër të hetimeve pritet të merret në pyetje edhe ish-zv/kryeministrja dhe ish-ministrja Belinda Balluku.
SPAK ka ngritur akuza për “Shkeljen e barazisë në tendera” ndaj pesë personave të tjerë në këtë dosje: Gentian Gjyli, Ervis Berberi, Erald Elezi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashica. Ata janë përfshirë në cilësinë e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në procedurën për ndërtimin e tunelit të Llogarasë.
Hetimi lidhet me mënyrën e zhvillimit të tenderit për një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore të vendit, pjesë e aksit Orikum-Himarë.
Procedura e parë u hap në dhjetor 2020 dhe përfundoi me anulimin e tenderit në prill 2021. Në garë kishin marrë pjesë gjashtë kompani, ndërsa oferta më e ulët ishte ajo e “Gjoka Konstruksion”, me një vlerë rreth 140 milionë euro.
Pak muaj më vonë, në qershor 2021, tenderi u rihap me një fond limit prej rreth 190 milionë euro pa TVSH. Në përfundim të procedurës, fitues u shpall bashkimi i kompanive turke Intecar dhe Asl, me një ofertë prej rreth 170 milionë eurosh plus TVSH.
SPAK po verifikon nëse gjatë këtyre procedurave janë kryer veprime që kanë ndikuar në mënyrë të parregullt në përcaktimin e fituesit.
Përveç tunelit të Llogarasë, hetimet e SPAK kanë shtrirë verifikimet edhe në procedura të tjera që lidhen me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. Kreu i SPAK, Altin Dumani, ka bërë të ditur më herët se nën hetim është edhe projekti i Aeroportit të Vlorës, ndërsa janë kryer verifikime paraprake edhe për autostradën Thumanë-Kashar.


