Dy letra para v*tëvrasjes, njëra për prokurorin e Caltanissetta-s, çfarë shkroi ish-kreu i Policisë italiane para se t’i jepte fund jetës

Bota

Dy letra para v*tëvrasjes, njëra për prokurorin e

Detaje të reja janë zbardhur nga vetëvrasja e ish-kreut të Policisë italiane, Gianni De Gennaro, në vilën e tij në Toskanë.

Para se t’i jepte fund jetës, ai kishte lënë dy letra të shkruara me dorë, njëra prej të cilave i drejtohej prokurorit të Caltanissetta-s, ndërsa tjetra personit që “do të dëshirojë ta publikojë”.

Sipas gazetës “Corriere della Sera”, dokumentet janë tashmë në duart e hetuesve të Antimafias në Firence, të cilët po rindërtojnë orët e fundit të jetës së ish-zyrtarit.

Në shkrimet e tij përfshihen edhe amanetet e fundit, të adresuara kujdestarit Peppe dhe familjarëve, të cilët do të mund t’i marrin ato pas përfundimit të autopsisë.

Dy letrat mund të kenë një ndikim të rëndësishëm në hetimin e zhvilluar ndaj De Gennaros nga prokuroria e Caltanissetta-s, e cila e akuzonte për devijim të hetimeve mbi masakrën e Via D’Amelio dhe kishte kërkuar arrestimin e tij.

Sipas raportimit, në letrën drejtuar prokurorit dyshohet se ish-kreu i Policisë ka lënë elemente që lidhen drejtpërdrejt me çështjen, ndërsa dokumenti tjetër mund të përbëjë një lloj mbrojtjeje publike, përmes së cilës ai synonte të paraqiste versionin e tij të ngjarjeve dhe të rrëzonte akuzat që i konsideronte të padrejta.

De Gennaro mund të ketë tentuar gjithashtu të shfajësojë bashkëpunëtorët e tij, të cilët janë përfshirë në hetim me dyshimin se e kishin ndihmuar në veprimet për devijimin e hetimeve.

Hetuesit po analizojnë edhe dokumentet e gjetura në dy çantat e mëdha në vilën në Toskanë, si dhe pamjet e kamerave të sigurisë së pronës. Verifikimet synojnë të përcaktojnë nëse ish-zyrtari ka takuar ndonjë person përpara ngjarjes.

Një tjetër detaj që po shqyrtohet nga hetuesit është gjetja e një gëzhoje në kopshtin e vilës, jashtë ndërtesës së veçuar ku u gjet trupi i tij. Sipas “Corriere della Sera”, ekziston dyshimi se De Gennaro mund të ketë kryer një qitje prove përpara se të drejtonte armën drejt vetes.

Ndërkohë, përmbajtja e plotë e dy letrave mbetet ende e panjohur për publikun, pasi aktualisht është në dispozicion vetëm të autoriteteve që po hetojnë rrethanat e ngjarjes.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion