VËZHGIM/ Çfarë ndodhi me anijet ruse: Kremlini premton hakmarrje - Shqipëria mohon përfshirjen në sulme

Mediat ndërkombëtare, veçanërisht ato të vendeve fqinje kanë raportuar gjerësisht mbi përfshirjen e Shqipërisë në incidentet me anijet ruse. Sulmi i fundit, i kombinuar me një tjetër sulm në brigjet e Finlandës tregon se efektet e luftës së Rusisë në Ukrainë po përhapen në të gjithë Evropën dhe përtej kufijve të kontinentit
Shqipëria mohon kategorikisht akuzat se sulmi me dron detar kundër anijes luftarake ruse në Libi ka origjinën nga territori i saj.
Ndërsa Rusia kërcënon regjimin e Kievit me "pasoja të dhimbshme" për bombardimin e një anijeje luftarake ruse në Bengazi dhe sulmin ndaj një anijeje mallrash të përdorur për transportimin e armëve në brigjet e Libisë, një vello misteri mbulon vendin e origjinës së lëshimit të dronëve ukrainas.
Paralajmërimi i Moskës, pas incidentit
Moska ka paralajmëruar për përkeqësim të sigurisë në Detin Baltik pas një sulmi me dron ukrainas ndaj një anijeje tjetër mallrash ruse gjatë fundjavës .
"Në të vërtetë, zgjerimi i aktivitetit terrorist në rajonin e Baltikut është një trend shumë i rrezikshëm... Kjo është shumë e rrezikshme. Sigurisht, çon në një përshkallëzim të tensioneve në rajon", u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov .
Të shtunën, Finlanda tha se kishte zbuluar një sulm me dron në ujërat ndërkombëtare kundër një anijeje mallrash ruse, e cila më vonë filloi të lundronte drejt ujërave finlandeze.
Anija, e identifikuar si Sparta II, ishte ankoruar rreth 90 kilometra në lindje të Helsinkit, ndërsa po bëheshin përpjekje për të shuar një zjarr në bord. Më vonë anija u tërhoq sërish në ujërat territoriale ruse.
Peskov tha se Rusia “shpreson që shtetet baltike do ta përdorin disi ndikimin e tyre” në
Ukrainë për ta “paralajmëruar atë që të mos vazhdojë me praktika të tilla të rrezikshme terroriste”.
Gjiri i Finlandës, i vendosur në skajin më lindor të Detit Baltik përgjatë brigjeve të Finlandës,
Estonisë dhe Rusisë, është një kalim detar kyç për Rusinë, që të çon në ish-kryeqytetin,
Shën Petersburg.
Akuza për përfshirje në fundosjen e një anijeje ruse – përgjigja e Tiranës
Raportet e mediave të huaja, të cilat sigurisht nuk janë konfirmuar për momentin, pohojnë se dronët që goditën anijen ruse në Bengazi u nisën nga Shqipëria dhe jo nga Libia perëndimore. Sipas këtyre raporteve, raportet për një nisje nga "Libia perëndimore" janë një pretendim mashtrues i qarkulluar nga burime ukrainase. Këto raportime që qarkullojnë orët e fundit provokuan, në mesditën e së hënës një reagim të zemëruar nga Shqipëria.
Në një deklaratë, Ministria e Jashtme e Shqipërisë mohoi kategorikisht se sulmi ndaj anijes luftarake ruse u nis nga territori i saj. "Këto raportime janë të pasakta dhe nuk korrespondojnë me realitetin. Shqipëria nuk kishte asnjë përfshirje në incident dhe territori i saj as nuk u përdor dhe as nuk u vu në dispozicion për nisjen e një sulmi të tillë."
Më tej Tirana zyetare në reagim, shton: “Ne i hedhim poshtë kategorikisht këto akuza, të cilat u bënë pa verifikim. U bëjmë thirrje atyre që janë përgjegjës për përhapjen e tyre të rivendosin të vërtetën dhe të tregojnë saktësi, kujdes të duhur dhe përgjegjësi kur shpërndajnë informacion mbi çështje të tilla të ndjeshme.”
Çfarë ndodhi, Zelensky e përshkruan si "shembullor" aksionin ndaj anijeve ruse
Dy zyrtarë ushtarakë libianë, duke folur në kushte anonimiteti për Associated Press, thanë se disa dronë detarë ukrainas u nisën nga një bazë e operuar nga forcat ukrainase në Libinë perëndimore. AP nuk mundi ta verifikonte në mënyrë të pavarur këtë pretendim dhe nuk pati asnjë koment nga Moska apo Kievi. Zyrtarët janë të lidhur me Ushtrinë Kombëtare Libiane të Khalifa Haftarit, e cila kontrollon Libinë lindore. Ana perëndimore e vendit kontrollohet nga Qeveria e Unitetit Kombëtar e njohur ndërkombëtarisht, me seli në Tripoli. Sipas Institutit për Studimin e Luftës (ISW), anija kishte qëndruar atje për disa ditë si pjesë e një marrëveshjeje bashkëpunimi për furnizimin me karburant dhe rimbushjen e furnizimeve. Ajo po shoqëronte anijet ruse të mallrave, të cilat mund të transportojnë pajisje ushtarake të destinuara për Rusinë.
Vërehet se bombardimi nga dronë detarë ukrainas të një anijeje luftarake ruse në Bengazi dhe sulmi ndaj një anijeje mallrash të përdorur për transportimin e armëve në brigjet e Libisë - një operacion që Volodymyr Zelensky e përshkroi si "shembullor" - është episodi më i fundit në historinë e të dy vendeve, i cili po merr përmasa jashtëzakonisht shqetësuese dhe të rrezikshme. Presidenti ukrainas tha se shtatë dronë detarë të prodhuar në Ukrainë u përdorën në operacionin e së dielës, i cili u krye nga Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës (SBU) në bashkëpunim me njësi të tjera të Forcave të Mbrojtjes së Ukrainës.
Të hënën, ajo publikoi një video që tregonte dronë detarë ukrainasë, të ngarkuar me eksplozivë, duke u përplasur me anijen luftarake ruse Merkury, duke shkaktuar shpërthime të fuqishme. Zelensky tha se kishte marrë një informim të detajuar "mbi fazat e operacionit, dje dhe sot", në lidhje me objektivat që ishin vendosur.
Zelensky mori përgjegjësinë për sulmin me dron ndaj anijeve ruse në Bengazi dhe njoftoi se operacioni "provoi edhe një herë se flota luftarake ruse dhe linjat e saj të furnizimit nuk kanë rrugë të sigurta, madje as përtej Detit të Zi". Në të njëjtën kohë, ai u zotua ta bënte Rusinë “të paguante për agresionin e saj, madje edhe në një distancë strategjike nga Ukraina”.
Sulmi i fundit, i kombinuar me një tjetër sulm të dyshuar me dron ukrainas kundër një anijeje mallrash ruse në brigjet e Finlandës të shtunën tregon se efektet e luftës së Rusisë në Ukrainë po përhapen në të gjithë Evropën dhe përtej kufijve të kontinentit.
“Lufta po përhapet në lagjen tonë”, shkroi kryeministri finlandez Petteri Orpo në X të shtunën.
“Ukraina ka të drejtën e saj të hakmerret kundër agresorit.”


