Paralajmëron Merkel: Infektimet po rriten, mund të rikthehen kufizimet

COVID-19 dhe përmbytjet e javës së kaluar në Gjermani, ishin kryefjala të fjalimit të fundit para gazetarëve, për kancelaren Angela Merkel, e cila nuk rikandidon në zgjedhjet e shtatorit. Merkel i bëri thirrje qytetarëve të vaksinohen, dhe të bindin edhe të të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë.
“Shifrat e infektimeve po rriten sërish dhe me një dinamikë të qartë dhe shqetësuese. Çdo vaksinim është një hap i vogël përpara drejt rikthimit në normalitet”, tha Merkel.
Numri i rasteve me koronavirus në gjermani ka shfaqur rritje të lehtë gjatë dy javëve të fundit, e nxitur kryesisht nga varianti delta. Instituti Robert Koch raportoi të enjten 1890 infektime të reja dhe një incidencë prej 12,2 rastesh për 100 mijë banorë, nga 4,9 që ishte në fillim të korrikut. Merkel tha se pret dyfishim të rasteve në dy javët e ardhshme, ndërsa paralajmëroi rikthim të kufizimeve strikte.
“Me rritjen e nivelit të infektimit mund të jetë e nevojshme të shtojmë masat kufizuese. Sa më shumë të jemi të vaksinuar, aq më të lirë do të jemi”, u shpreh kancelarja.


