Veliaj refuzon operimin në spitalin e Fierit: Pres vendimin e GJKKO-së për spitalin privat në Tiranë

Erion Veliaj ka refuzuar të paraqitet këtë të diel në Spitalin Memorial të Fierit, ku ishte planifikuar t’i nënshtrohej analizave dhe kontrolleve mjekësore paraprake, në kuadër të përgatitjeve për një ndërhyrje kirurgjikale në këmbë.
Sipas planifikimit të bërë nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, kryebashkiaku i Tiranës duhej të paraqitej në spital për të kryer ekzaminimet e nevojshme përpara operacionit, i cili ishte parashikuar të realizohej të hënën, më 23 nëntor.
Megjithatë, Veliaj ka kundërshtuar këtë planifikim, duke deklaruar se për ndërhyrjen kirurgjikale i është drejtuar Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, së cilës i kërkon të marrë një vendim për mënyrën dhe vendin ku duhet të kryhet operacioni.
“Unë jam drejtuar GJKKO-së për të vendosur ajo mbi ndërhyrjen time kirurgjikale. Refuzoj të shkoj në Spitalin Memorial Fier”, mësohet të ketë deklaruar Veliaj.
Kështu, ai ka bërë të qartë se nuk do të ndjekë procedurën e parashikuar nga Drejtoria e Burgjeve pa u shprehur më parë gjykata lidhur me kërkesën e tij për ndërhyrjen kirurgjikale.
Çështja lidhet me kërkesën e Veliajt për t’u operuar në një spital privat në Tiranë, në vend që ndërhyrja të kryhet në Spitalin Memorial të Fierit. Për këtë arsye, pritet që GJKKO të shqyrtojë kërkesën dhe të vendosë mbi vijimin e procedurave.
Ndërkohë, mbetet për t'u parë nëse operacioni i parashikuar për të hënën, më 23 nëntor, do të realizohet sipas planifikimit fillestar apo do të shtyhet në pritje të një vendimi nga gjykata.
Deri në këtë moment, nuk ka një informacion të konfirmuar për një datë të re të ndërhyrjes kirurgjikale.


