Alarm për qumështin VITA që tregtohet edhe në Shqipëri/ Analizat zbulojnë aflatoksinë mbi normë

Një seri e qumështit VITA, produkt që tregtohet edhe në Shqipëri, është tërhequr nga tregu në Kosovë pasi analizat laboratorike zbuluan nivele të aflatoksinës M1 mbi kufirin e lejuar. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë (AUV) ka urdhëruar bllokimin dhe tërheqjen e kësaj serie nga pikat e shitjes, ndërsa në Shqipëri nuk ka ende një njoftim nga autoritetet për ndonjë masë apo kontroll të ndërmarrë lidhur me këtë produkt.
Bëhet fjalë për qumështin VITA UHT me 3.2% yndyrë, në paketim njëlitërsh, me datë prodhimi 18 korrik 2026 dhe afat përdorimi 18 janar 2027, të prodhuar nga kompania ABRAZEN SH.P.K. (Qumështorja VITA).
“AUV u bën thirrje qytetarëve që të mos konsumojnë këtë seri të qumështit VITA UHT 3.2% dhe ta kthejnë produktin në pikën e shitjes ku e kanë blerë”, thuhet në njoftimin e autoriteteve kosovare.
Sipas mediave në Kosovë, analizat e kryera në Institutin për Sigurinë e Ushqimit në Linz të Austrisë kanë zbuluar një përqendrim të aflatoksinës M1 prej 0.065 mikrogramë për kilogram, ndërsa kufiri maksimal i lejuar është 0.050 mikrogramë për kilogram.
Edhe analizat e Laboratorit të Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë konstatuan tejkalim të nivelit të lejuar në tri mostra të qumështit VITA 3.2%.
Pas këtyre gjetjeve, AUV urdhëroi kompaninë të ndalojë shitjen dhe shpërndarjen e serisë së identifikuar dhe të sigurojë tërheqjen e saj nga tregu. Agjencia sqaroi se masa nuk prek seritë apo produktet e tjera të të njëjtit prodhues.
Rasti vjen pas konstatimeve të mëparshme në Maqedoninë e Veriut, ku analizat e qumështit LAND Milk UHT 3.2%, të prodhuar nga i njëjti operator, zbuluan gjithashtu nivele të aflatoksinës M1 mbi kufirin e lejuar.
Aflatoksina M1 është një substancë toksike që mund të kalojë në qumësht përmes ushqimit të kontaminuar të kafshëve. Sipas AUV-së, ekspozimi afatgjatë ndaj saj mund të paraqesë rrezik për shëndetin e konsumatorëve.
Autoritetet kosovare kanë paralajmëruar zgjerimin e kontrolleve edhe në seri të tjera prodhimi, për të identifikuar burimin e mundshëm të kontaminimit.
Për Shqipërinë, mbetet ende e paqartë nëse seria konkrete e qumështit VITA, për të cilën është urdhëruar tërheqja në Kosovë, ka hyrë edhe në tregun vendas. Deri më tani, autoritetet shqiptare nuk kanë bërë një njoftim publik për këtë rast.


