Forumi i Biznesit Shqipëri-Japoni, Ponari dhe Kataoka për mediat: Mundësitë e bashkëpunimit dhe investimeve të shumta

Nxitja e bashkëpunimit ekonomik dhe e investimeve mes dy vendeve në energji, infrastrukturë dhe logjistikë ishin temat qendrore të Forumit të Biznesit Shqipëri-Japoni, që u mbajt në Tiranë.
Forumi u organizua nga JETRO, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit dhe AIDA, me mbështetjen e Ambasadës së Japonisë në Shqipëri dhe me angazhimin e plotë të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Japoni, AJCCI. Në forum mori pjesë edhe presidenti i Organizatës Japoneze të Tregtisë së Jashtme, JETRO, z. Susumu Kataoka.
Aktivitetin e përshëndetën ambasadorja japoneze në Tiranë, znj. Kikuto Kato, dhe ambasadori shqiptar në Japoni, z. Ermal Muça dhe zyrtarë të lartë të institucioneve shqiptare.
Presidenti i JETRO-s, i cili kishte ardhur në Tiranë i shoqëruar nga 17 biznesmenë japonezë për të shqyrtuar nga afër mundësitë e investimit dhe të bashkëpunimit, dha një deklaratë të përbashkët për mediat me z. Avni Ponari, president i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqiptaro-Japoneze (AJCCI).
Presidenti i JETRO-s, z. Susumu Kataoka, u ndal te arsyet pse JETRO i kushton rëndësi të veçantë Shqipërisë:
“JETRO i ka kushtuar vëmendje të veçantë Shqipërisë dhe ka disa arsye për këtë interes. Së pari, rritja shumë e lartë ekonomike dhe një ekonomi e qëndrueshme. Arsyeja e dytë është se ka shumë projekte infrastrukturore dhe kjo është një mundësi në këtë vend pikërisht tani.
E treta është më shumë një arsye gjeopolitike: e shohim të domosdoshme forcimin e lidhjeve me vendet e Ballkanit, përfshirë Shqipërinë. Dhe e katërta janë talentet shumë të aftë në këtë vend, bollëk talentesh. Së fundmi është edhe një vend shumë pro-japonez. Këta janë faktorë shumë të rëndësishëm dhe arsye të mjaftueshme, që ne të forcojmë bashkëpunimin mes dy vendeve tona”.