Nga ekrani në qeli / Kush është Albana Xhemajli, 26-vjeçarja që ra në pranga bashkë me ish-ministrin

Kosovë&Rajon

Nga ekrani në qeli / Kush është Albana Xhemajli,

Albana Xhemajli-Ramadani, 26-vjeçarja nga Komuna e Vitisë, është një nga personat e arrestuar në operacionin antidrogë “Heshtja”, të zhvilluar më 14 nëntor në rajonin e Prishtinës, ku në mesin e të arrestuarve është edhe ish-ministri i Kulturës, Astrit Haraqija.

E reja, e cila sipas raportimeve të mediave është motra e Arbiana Xhemajlit, ish-kandidates për deputete të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025, ka qenë e angazhuar në sektorin farmaceutik. 26-vjeçarja kishte pasur edhe një përvojë në aktrim.

Ajo kishte luajtur në serialin vendor “Mama mia Llaperqino”, ku ishte paraqitur në një rol si aktore.

Çfarë roli dyshohet se kishte në grupin e kokainës?

Emri i Xhemajli-Ramadanit është përfshirë në dosjen e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e cila ka kërkuar caktimin e paraburgimit për të dhe pesë persona të tjerë të arrestuar në operacionin “Heshtja”.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, Albana Xhemajli-Ramadani ishte bashkëjetuese e Jeton Stanovcit, 42-vjeçarit të njohur me nofkën “Daja”, i cili dyshohet se drejtonte grupin e përfshirë në shpërndarjen e kokainës.

Prokuroria dyshon se ajo kishte rol në mbledhjen e parave të përfituara nga shitja e narkotikëve.

Konkretisht, sipas dosjes, Xhemajli-Ramadani dyshohet se mblidhte paratë nga Gëzim Feka, Arjanit Beqiri dhe Albert Krasniqi, të cilët dyshohen se merreshin me shpërndarjen dhe shitjen e kokainës në doza të vogla.

Në kërkesën për paraburgim përshkruhet edhe mënyra se si dyshohet se funksiononte organizimi financiar i grupit.

Sipas Prokurorisë, kryesisht çdo të diel bëhej barazimi i pagesave për sasitë e narkotikëve të shitura gjatë javës, ndërsa anëtarët furnizoheshin me sasi të reja për shpërndarje.

Në këtë skemë, Xhemajli-Ramadani dyshohet se kishte rol në grumbullimin e të ardhurave nga shitjet.

Operacioni “Heshtja”, gjashtë të arrestuar

Albana Xhemajli-Ramadani u arrestua më 14 nëntor, gjatë operacionit të Policisë së Kosovës të koduar “Heshtja”, i realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI).

Operacioni rezultoi me arrestimin e gjashtë personave të dyshuar për përfshirje në trafikimin dhe shpërndarjen e kokainës.

Gjatë kontrolleve, Policia sekuestroi rreth 1.6 kilogramë kokainë, automjete, para të gatshme dhe pasuri të tjera, me vlerë të përgjithshme të raportuar prej mbi 300 mijë eurosh.

Prokuroria ka kërkuar paraburgimin e të dyshuarve, duke argumentuar se ekziston rreziku i arratisjes, ndikimit në dëshmitarë, dëmtimit të provave dhe përsëritjes së veprës penale.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion