Pas Diellës, Rama prezanton edhe Gjonin, cili do të jetë roli i tij në kontrollin e prokurimeve publike?

Politikë

Pas Diellës, Rama prezanton edhe Gjonin, cili do të jetë roli i
Gjatë eventit për prezantimin e modelit të ri të prokurorimeve publike, kryeministri Edi Rama ka publikuar treguesit që e dëshmojnë se ky proces është në nivelet e Bashkimit Europian.

Më tej, Rama prezantoi Gjonin, i cili do të jetë model i inteligjencës artificiale dhe së bashku me Diellën do të kontrollojnë dhe verifikojnë të gjitha proceset e prokurorimeve publike. Megjithatë, kryeministri theksoi se në fund, vendimi do të merret nga njeriu. 

"E shoh të udhës të ndaj këtu disa shifra duke nisur nga fakti që në vitin 2012, në momentin kur ne bëheshim gati të merrnim detyrën, procedurat pa shpallje paraprake, por me negocim të drejtpërdrejtë, domethënë pa garë, ishin 31% e totalit të procedurave. Në vitin që lamë pas, ato ishin vetëm 2.4%. Pra ky është një standard i ri i vendosur dhe tanimë duket e pabesueshme që të ndodhi e kundërta, që procedurat pa garë për fondet publike të jenë sa 1/3 e të gjitha procedurave të prokurimit. 

Sot janë, e përsëris, vetëm 2.4%. Sot ne e kemi përafruar legjislacionin e prokurimit publik në përputhje me direktivat e Bashkimit Europian dhe vetëm pak ditë më parë kemi miratuar edhe projektligjin për disa ndryshime të reja në ligjin e prokurimit publik që faktikisht mbyll tërësisht kornizën e përafrimit të legjislacionit. Por interesante është një tjetër shifër.

Nga platforma digjitale e transparencës së Komisionit Europian, “public procurement data space” për vitin 2025 në Bashkimin Europian kontratat me një ofertë ishin 32.3%, ndërkohë që në Shqipëri ato ishin 23% dhe në këtë indikator Shqipëria gjendet në një shoqëri shumë të lartë për sa i përket prokurimit publik, në të njëjtin grup me Suedinë, me Gjermaninë, me Finlandën dhe me Francën, shumë nën mesataren e Bashkimit Europian në aspektin pozitiv. 

Një tjetër element i rëndësishëm që natyrisht nuk shihet dhe nuk dëgjohet në zhurmën dhe në mjegullën e avazeve të përsëritura për vendin ku vetëm një grusht njerëzish kanë akses, në fondet publike. 93% e kontratave në Shqipëri fitohen nga SME-të, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Pa shtuar dhe një 2% tjetër ku SME-të janë dhe pjesëmarrëse si bashkim operatorësh, por nuk po e quajmë këtë, 93%. Ndërkohë në Bashkimin Europian SME-të fitojnë vetëm 46% të kontratave. Natyrisht që, struktura ekonomike e Bashkimit Europian është tjetër, por kjo për të thënë se ku shkojnë fondet publike. Një tjetër tymnajë e madhe për indikatorin e tenderave pa garë, zhbëhet plotësisht po të shohësh se Shqipëria është më mirë sesa 21 vende të Bashkimit Europian.  

Në raportin që SIGMA publikoi për fushën e prokurimit publik, Shqipëria ka një vlerësim 81 në 100, që është vlerësimi më i lartë në pikët mesatare për të gjitha vendet e rajonit, por natyrisht që këto nuk janë për të thënë se këtu është bërë ndonjë mrekulli. Këto janë për të thënë se çka nisim sot nuk është një kapitull i parë, por është vazhdimi i një serie kapitujsh dhe në prag të anëtarësimit në Bashkimin Europian, Shqipëria synon që ta ngrejë administratën e prokurimit publik në një nivel të ri. 

E theksoj që prokurimi publik të ketë administratën e vet të mirëfilltë dhe të mos jetë më një sistem ku shumë njerëz përfshihen nëpër komisione prokurimi dhe shpesh herë gabojnë qoftë edhe nga padija.  

Krijimi i Operatorit të Blerjeve të Përqendruara ka dëshmuar në mënyrë spektakolare vlerën që ka ky synim i specializimit dhe i konsolidimit të një administrate të posaçme për prokurimin. Nga mbi 2200 procedura të publikuara apo rreth 800 milion euro punë mallra dhe shërbime, janë kursyer 81 milionë euro.

Megjithatë, ajo që ndajmë bashkërisht me drejtuesit tanë edhe dua t'i falënderoj që të dy Reidën absolutisht por edhe Jonin i cili pati dhe një fazë përndjekje që e ka bërë edhe më të vetëdijshëm për domosdoshmërinë e të qëndruarit drejtë. Ne e kuptojmë shumë mirë që kemi nevojë të çlirojmë peshën e procedurave dhe të burokracive nga zyrat e çdo agjencie pasi kemi hequr tërësisht prokurimet nga ministritë.  

Faktikisht me përjashtim të disa prokurimeve shumë specifike që lidhen me sigurinë kombëtare, çdo gjë tjetër nuk është më në duart e ministrive dhe kjo do të zbresë deri poshtë në ndërkohë që ne nuk mund të detyrojmë pushtetin vendor që të bëjë prokurime të përqendruara, por do të bëjmë çmos që ta nxisim pushtetin vendor që të shkojë drejt prokurimeve të përqendruara, të specializuara dhe me kosto shumë më të vogla. 

Tani perceptimi për prokurimin dhe për problematikën e prokurimit si një problematikë me hije, nuk është vetëm një perceptim shqiptar, ashtu si kundër nuk është vetëm një perceptim shqiptar perceptimi për korrupsionin, edhe pse ne jemi njisha për ta lyer veten me katran edhe kur faktikisht jemi të pastër dhe jo më pastaj kur ka patjetër edhe katran nëpër duar. 

Flash Eurobarometri i 2025-ës thotë se 63% e të anketuarve në Shqipëri mendojnë se specifikimet e procedurave hartohen në favor të kompanive të caktuara, kundrejt 58%, pra vetëm 5 pikë përqindje më poshtë është mesatarja e Bashkimit Europian. 

Pra 58% në nivel të Bashkimit Europian mendojnë, kompani, që ka hile. Ndërsa në disa vende europiane, unë nuk dua t'i përmend, kjo shifër është lartësisht katastrofike. Për shembull në një vend të Bashkimit Europian, perceptimi është i 92% i të anketuarve, mendojnë që prokurimet janë me hile. Edhe te korrupsioni, e kemi thënë më parë, po të shikojmë sondazhet dhe perceptimin në nivelin europian, ka vende të Bashkimit Europian të cilat nga publiku i tyre konsiderohen të korruptuara në nivele 92 e 95% dhe 98%, pa asnjë ekzagjerim që natyrisht është absolutisht e pavërtetë, por është perceptim i cili ushqehet fuqimisht në kohën e sotme kur gëlojnë shpifjet, gëlojnë ekzagjerimet, gëlojnë gjysmë të vërtetat që janë dhe gënjeshtrat më të mëdha dhe kur natyrisht pastaj fakte të pamohueshme kthehen në të vërteta absolute dhe përgjithësuese shumë padrejtësisht. 

Nuk dua të zgjatem më shumë me krahasime. Këto të dhëna nuk vijnë dhe nuk na shërbejnë për të relativizuar problemet dhe sfidat tona, por na shërbejnë për të kuptuar që prokurimi publik është një fushë jashtëzakonisht e ndjeshme, pikërisht sepse aty siç tha ministrja, lidhen interesa të shumëllojshme të një komuniteti të tërë që është komuniteti i biznesit dhe shteti si klient në atë rast kur kërkon shërbime apo kërkon ndërtime, domosdoshmërish është në një pozitë vulnerabil, të paragjykuar vetvetiu, pa llogaritur faktin që kur konkurrojnë shqiptarët nuk humbet asnjëri. Të gjithë fitojnë dhe pastaj kur njëri shpallet fitues, të gjithë të tjerët vetë shpallen viktima të një padrejtësie ulëritëse. Ky është fakt. 

Unë nuk e kam takuar akoma një që të pranojë që tjetri ishte më i zoti edhe fitoi. Gjithsesi kam besim që kur Diella bashkë me Gjonin, është dhe Gjoni që do të shfaqet së shpejti në këtë fushë, i cili do të merret specifikisht me një sërë procesesh të prokurimeve, kur Diella bashkë me Gjonin do të jenë shumë më tepër në zotërim të procesit, atëherë besoj, dua të shpresoj që do të fillojë të krijohet dhe bindja që po, ka fitues me të drejtë dhe ka humbës me meritë pasi të kalojë dhe një fazë kur humbësit të duan t'i shikojnë me sytë e vetë dhe t'i kontrollojnë një më një të gjitha fletët e procesit, sepse procesi gjithsesi do të jetë i kontrollueshëm manualisht.

Pra, ndryshe nga sa u tha në fillim kur ne e hodhëm këtë ide edhe arriti deri dhe Neë York Times të hapte debat për Diellën, nuk do të ketë një proces të mbyllur në ekranin e Diellës, por do të jetë një proces ku çdokush që do të ketë pretendime do të mund ta ndjekë atë dhe manualisht. 

Dhe në fund të ditës e tha Reida, vendimmarrja do të jetë përsëri e njeriut, por natyrisht bazuar në të dhëna shumë më pak të kontestueshme dhe të procesuara nga një super inteligjencë. 

Shumë faleminderit dhe edhe një herë, faleminderit të gjithë ekipit të OBP-së. Faleminderit ekipit të APP-së edhe kujtesë për sekretarët e përgjithshëm që deri në datën 20, duhet të dorëzojnë të gjithë listat e projekteve që kërkojnë të futen në procedurë prokurimi dhe duhet të bashkëpunojnë ngushtësisht me OBP-në, që procedurat të nisin pa humbur kohë dhe kjo do të sjelli një impakt jashtëzakonisht të rëndësishëm, jo vetëm për të ulur më tej problematikat që pastaj lidhen edhe me gjëra të shëmtuara, por edhe për të realizuar më shpejt dhe për të realizuar në kohë investimet. 

Patjetër që sfida e sfidave gjithsesi mbetet realizimi i kontratave dhe jo thjesht lidhja e tyre. Në fazën nga lidhja e kontratës tek dorëzimi i veprës apo tek dorëzimi i mallit, ka ende dobësi që nganjëherë janë dramatike dhe për të cilat në ndonjë rast opinioni publik me të drejtë, me të drejtë sëkëlldiset.  

Shumë faleminderit dua në fund të falënderoj edhe ambasadoren që është këtu e pranishme.

Është ambasadorja e një vendi që në fushën e prokurimeve ka një bilanc nga më të shkëlqyerit e Bashkimit Europian, Holanda dhe është vërtetë kënaqësi që të kemi më shumë ura bashkëpunimi, qoftë me institucionet përkatëse në Holandë, qoftë dhe me institucione të tjera, siç po ndodh me organin e blerjeve të përqendruara në Austri apo edhe në ndonjë vend tjetër ose e përmenda siç ndodh me vetë UNOPS-in që është një institucion ekselence për sa i përket prokurimit publik."- tha Rama.  

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion