Rrëmbimi dhe vrasja e Renis Dobrës/ SPAK dërgon për gjykim 4 të pandehurit, zbardhet skema e krimit (EMRAT)

SPAK ka dërguar në Gjykatën e Posaçme dosjen e rrëmbimit dhe vrasjes të Renis Dobrës në Burrel, në ngarkim të tre vëllezërve Bushgjokaj dhe Petrit Hoxhës.
Në njoftimin e SPAK, zbardhet pjesa e panjohur e rrëmbimit dhe vrasjes të 23-vjeçarit. Pamjet filmike dhe të dhënat e GPS të automjeteve të marra me qira në Rinas e Yzberisht për të mos u pikasur nga policia, është mundur të dokumentohet lëvizja e tyre në Burrel dhe në aksin Klos-Zenisht në kërkim të viktimës.
Te Ura e Matit, Dobra është ndjekur nga një Hyundai Santa Fe ku ndodheshin Çakraj dhe Aleksandër Bushgjokaj. Ata kanë sinjalizuar dy të tjerët, Fation e Kristë Bushgjokajn që ishin në një Range Rover.
Me të, i kanë prerë rrugën Dobrës te ‘Kroi i Suçit’, e kanë nxjerrë me forcë nga makina dhe e kanë rrëmbyer me Range Rover-in.

Nga aty, kanë shkuar drejt Ulzës e Shkopetit, ku siç dyshohej edhe më parë, Dobra është dhunuar e vrarë dhe bashkë me makinën, është hedhur në rrëpirë.
Njoftimi i plotë:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr.181 të vitit 2025, në ngarkim të të pandehurve:
1. Fation Bushgjokaj
2. Petrit Hoxha (Çakraj),
3. Kristë Bushgjokaj
4. Aleksandër Bushgjokaj
Të katër të pandehurit akuzohen për veprat penale: “Rrëmbim ose mbajtje peng e personit”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal; “Grup i strukturuar kriminal”; “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 109/3, 28/4, 333/a/2 dhe 334/2 të Kodit Penal.
Procedimi është regjistruar për faktin penal të datës 8.7.2025, ku, sipas rezultateve të hetimit, Fation Bushgjokaj, Petrit Hoxha (Çakraj), Kristë Bushgjokaj dhe Aleksandër Bushgjokaj kanë kryer veprime të koordinuara me qëllim rrëmbimin dhe mbajtjen peng të shtetasit R.D.
Nga pamjet filmike të kamerave të sigurisë dhe të dhënave të pajisjeve GPS të automjeteve të marra me qira dhe provave të tjera të administruara gjatë hetimit, është dokumentuar lëvizja e të pandehurve në qytetin e Burrelit dhe në aksin rrugor Klos–Zenisht, në kërkim të viktimës. Sipas hetimit, pranë vendit të quajtur “Ura e Matit”, shtetasi R.D. është pikasur në automjetin e tij Benz dhe është ndjekur nga automjeti Hyundai Santa Fe, në të cilin ndodheshin Petrit Hoxha (Çakraj) dhe Kristë Bushgjokaj. Këta provohet se kanë sinjalizuar Fation dhe Aleksandër Bushgjokajn, të cilët ndodheshin në një automjet tjetër, Range Rover.
Ndjekja ka vijuar deri në vendin e quajtur “Kroi i Suçit”, ku rreth orës 21:58, provohet se automjeti Range Rover i ka bllokuar rrugën viktimës. Sipas rezultateve të hetimit, R.D. është nxjerrë forcërisht nga automjeti i tij dhe nën dhunën e autorëve, është futur në automjetin Range Rover.
Më pas të tre automjetet kanë ecur njëri pas tjetrit nga qyteti i Burrelit në drejtim të Ulzës dhe Shkopetit, ku provohet se është dhunuar dhe më pas i është shkaktuar vdekja shtetasit R.D. nga autorët e veprës penale. Kjo vërtetohet edhe nga akti i ekspertimit mjeko-ligjor.
Sipas hetimit, më pas automjeti i viktimës, së bashku me trupin e tij, është hedhur në drejtim të ujërave të liqenit të Ulzës, me qëllim fshehjen dhe zhdukjen e tij.
Nga analiza e lëvizjeve të automjeteve, këqyrja e kamerave pranë vendngjarjes, pajisjeve GPS, tabulateve telefonike dhe të dhënave të nxjerra nga pajisjet telefonike të personave nën hetim, është arritur në përfundimin se plani për rrëmbimin dhe vrasjen e shtetasit R.D ka qenë i strukturuar dhe i koordinuar, duke e kryer veprën penale në kuadër të bashkëpunimit të posaçëm të grupit të strukturuar kriminal.


