Policia greke godet një rrjet ndërkombëtar të klandestinëve Kinë-Shqipëri-Greqi

Policia greke ka goditur një organizatë kriminale që ishte aktive në përgatitjen dhe shpërndarjen e dokumenteve të falsifikuara dhe në lehtësimin e qëndrimit dhe lëvizjes së paligjshme të të huajve duke përfshirë edhe Shqipërinë.
Sipas mediave greke,operacioni u zhvillua në një zonë në qendër të Athinës, gjatë të cilit u arrestua një i huaj 39-vjeçar, anëtar i grupit kriminal.
Ndaj tij u ngrit një padi për formimin dhe pjesëmarrjen në një grup kriminal, falsifikimin e certifikatave, për lehtësimin e hyrjes dhe daljes nga territori grek, etj.
Përveç kësaj, brenda 4 “hosteleve informale” (shtëpive të sigurta) u identifikuan 21 të huaj, të cilëve u mungonin dokumente ligjore, të moshës nga 22 deri në 58 vjeç, dhe kundër tyre u ngrit një çështje penale për qëndrim të paligjshëm në Greqi.
Sipas hetimit 39-vjeçari kishte formuar organizatën kriminale të paktën që nga fundi i korrikut, me qëllim lehtësimin e transportit të paligjshëm të të huajve dhe përgatitjen dhe shpërndarjen e dokumenteve të falsifikuara.
Sipas policisë të huajt fillimisht udhëtuan me avion nga Kina në Shqipëri dhe më pas hynë në Greqi në këmbë, nëpërmjet kufirit greko-shqiptar. Më pas ata u transportuan me autobusë ose makina në drejtim të Athinës. Intinerari përfshinte gjithashtu, sipas hetimit, lehtësimin e daljes së tyre nga Greqia dhe kalimin në vende të tjera evropiane, përfshirë Italinë dhe Spanjën, nëpërmjet fluturimeve ajrore.
Kostoja e transportit të paligjshëm deri në zhvendosjen në një vend evropian varionte, sipas policisë,nga 6500 deri në 7000 euro.


