Tension dhe masa të shtuara sigurie në Asamblenë e PS Tiranë, nisin mbërritjet e anëtarëve dhe kontrollet në hyrje

Ka nisur mbërritja e anëtarëve të Asamblesë së Partisë Socialiste të Tiranës në Akademinë e Arteve, ku sot në orën 11:00 është parashikuar të zhvillohet mbledhja e thirrur nga kryeministri Edi Rama.
Siç raportohet, në hyrje të godinës, anëtarët verifikohen përmes një liste emërore nga punonjësit e Gardës, përpara se të lejohen të vijojnë drejt sallës qendrore të Akademisë së Arteve.
Ndërkohë, në sheshin “Nënë Tereza” vihet re një prezencë e shtuar e forcave të Policisë, të cilat janë angazhuar për garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjen e zhvillimit të Asamblesë.

Nga deputetët e Tiranës, deri në këto momente është shënuar mbërritja e Ervin Hoxhës.
Mbledhja zhvillohet në kuadër të organizimit të strukturave socialiste dhe përgatitjeve për zgjedhjet vendore të 9 majit 2027, ku gara për Bashkinë e Tiranës pritet të jetë një nga përballjet kryesore politike.


