Tren edhe në Gjirokastër... rikthehet ideja për hekurudhën 73 km që lidh Shqipërinë me Greqinë

Treni mund të vijë dhe në Gjirokastër, përmes një projekti ambicioz që synon të lidhë Igumenicën me Janinën dhe Shqipërinë jugore. Grupi i Punës për Zhvillimin e Turizmit në Janinë ka rikthyer në vëmendje projektin e një linje hekurudhore ndërkufitare, e cila mund të krijojë një korridor të ri transporti mes Greqisë dhe Shqipërisë.
Projekti parashikon lidhjen Igumenicë – Janinë – Kakavijë – Gjirokastër, duke bashkuar portin e Igumenicës me qytetin e Janinës dhe jugun e Shqipërisë. Sipas propozimit, kjo linjë mund të shërbejë si për transportin e pasagjerëve, ashtu edhe për lëvizjen e mallrave, ndërsa njëkohësisht do të krijonte mundësi të reja për zhvillimin e turizmit ndërkufitar.
Ideja nuk është e re. Që në vitin 2016, në kuadër të programit të Bashkëpunimit Territorial Evropian Greqi-Shqipëri, ishte përgatitur një studim për ndërtimin e linjës hekurudhore që do të lidhte Portin e Igumenicës, Parkun Industrial të Igumenicës, Universitetin e Janinës, Aeroportin e Janinës, Kakavijën dhe Gjirokastrën.
Studimi përfshinte projektimin paraprak, vlerësimin e kostove dhe një analizë të qëndrueshmërisë së projektit. Sipas të dhënave të këtij studimi, linja do të kishte një gjatësi prej rreth 73 kilometrash. Projekti parashikonte gjithashtu dy tunele kryesore me gjatësi totale rreth 10.3 kilometra, nëntë tunele të tjera me një gjatësi të përgjithshme prej rreth 4.6 kilometrash, si dhe rreth 26 ura të vogla rrugore dhe hekurudhore.
Tashmë, propozimi është që ky studim të përditësohet, duke marrë në konsideratë kostot aktuale, zhvillimet teknologjike, kërkesën për transport, qëndrueshmërinë ekonomike dhe mundësinë e financimit përmes fondeve evropiane.
Porti i Igumenicës i jep projektit një rëndësi të veçantë. Përmes lidhjes me Janinën dhe Gjirokastrën, ai mund të shndërrohet në një pikë të rëndësishme të një korridori multimodal që bashkon transportin detar, hekurudhor dhe rrugor.
Një linjë e tillë do të mundësonte lëvizje më të shpejtë të pasagjerëve dhe mallrave mes Greqisë dhe Shqipërisë, ndërsa do të krijonte edhe itinerare të reja turistike në të dyja anët e kufirit.

Projekti parashikon gjithashtu një perspektivë më të gjerë për lidhjen e Epirit me rrjetin kombëtar hekurudhor grek përmes Kallabakës. Në këtë mënyrë, mund të krijohej një bosht i ri Igumenicë – Janinë – Kalambakë – Thesali – Athinë/Selanik.
Një lidhje e tillë do ta integronte më mirë Epirin me pjesën tjetër të Greqisë. Rajoni tashmë disponon një infrastrukturë të rëndësishme rrugore, përmes autostradës Egnatia, Autostradës Joniane dhe E65, ndërsa Igumenica ka një rol strategjik në lidhjet me Italinë dhe Ballkanin.
Sipas propozimit, hekurudha do t'i shtohej këtij rrjeti duke lehtësuar transportin e pasagjerëve dhe mallrave, por edhe duke nxitur turizmin mes Epirit dhe Shqipërisë së jugut. Në këtë kuadër, zhvillimet e reja në sektorin energjetik të rajonit përbëjnë një tjetër element që mund të merret në konsideratë në planifikimin afatgjatë të infrastrukturës.
Ndërkohë, Shqipëria po vijon investimet në rrjetin e saj hekurudhor, përfshirë projektin e rehabilitimit të linjës Vorë – Hani i Hotit, në drejtim të kufirit me Malin e Zi. Këto zhvillime e bëjnë më aktual diskutimin për një lidhje të ardhshme hekurudhore mes Shqipërisë dhe Greqisë përmes Janinës dhe Gjirokastrës.
Studimi i vitit 2016, i promovuar në atë kohë nga Zëvendësguvernatorja për Planifikimin e Zhvillimit të Rajonit të Epirit, Tatiana Kalogianni, shihet si pikënisje për një rishikim të projektit.
Që atëherë, realiteti infrastrukturor dhe ekonomik i rajonit ka ndryshuar. Janë zhvilluar rrjetet rrugore, është përmirësuar infrastruktura portuale, janë shtuar nevojat për transport dhe logjistikë, ndërsa kanë lindur edhe mundësi të reja për bashkëpunimin ndërkufitar.
Për këtë arsye, propozimi i Grupit të Punës për Zhvillimin e Turizmit në Janinë është që studimi ekzistues të përditësohet dhe të hartohet një plan gjithëpërfshirës për të vlerësuar fizibilitetin e projektit. Nëse do të realizohej, linja Igumenicë – Janinë – Kakavijë – Gjirokastër do të krijonte një lidhje të re mes Greqisë dhe Shqipërisë dhe mund të shndërrohej në pjesë të një korridori më të gjerë që lidh Epirin me Ballkanin dhe Evropën.


