Tjetër rekord negativ për fermerët, vaji i ullirit zbret në 350 lekë/litër, kërkohet ndërhyrja e qeverisë

Aktualitet

Tjetër rekord negativ për fermerët, vaji i ullirit zbret në
Fermerët në shumë zona të vendit po përballen me vështirësi të mëdha në tregtimin e vajit të ullirit, pasi çmimet e ofruara nga grumbulluesit deri tani kanë zbritur në 300–350 lekë për litër, nën koston e prodhimit.

Çmimi i kërkuar nën koston e prodhimit dhe bllokimi i eksporteve po sjell që shumica e prodhimit të ri të vajit të ullirit të mbetet stok në shtëpitë e fermerëve, ndërsa rrezikohet edhe braktisja e ullishteve.

Monitor bisedoi me disa fermerë në zonën e Belshit, të cilët ngritën si shqetësim kryesor mungesën e tregut për shitjen e vajit të ullirit dhe rënien e fortë të çmimeve. Pavarësisht prodhimit të mbarë këtë sezon, fermerët pohuan se po përballen me vështirësi në gjetjen e blerësve, ndërsa çmimet e ofruara nga grumbulluesit janë shumë më të ulëta se kostot e prodhimit. Si rrjedhojë, një pjesë e vajit po mbetet stok në shtëpitë e fermerëve.

Fermerët kërkojnë të paktën ta tregtojnë vajin me 500 lekë për litër për të mbuluar kostot e prodhimit, përfshirë pagesat e vjelësve që variojnë nga 3,500, 4,500 deri në 5 mijë lekë dita, ndërsa në disa zona deri tani është mbledhur vetëm 20% e prodhimit.

Agron Qypi, i cili zotëron rreth 400 rrënjë ullinj pohoi se prodhimi për pemë është rritur nga 17 kg sezonin e kaluar në rreth 30 kg këtë vit, por shtimi i prodhimit nuk është shoqëruar me rritje të të ardhurave.

Sipas Qypit, edhe çmimi prej 500 lekësh për litër nuk mbulon shpenzimet për vjeljen, krasitjen dhe shërbimet e tjera në ullishte. Ai vlerëson se vaji duhet të shitet mbi 600 lekë për litër për të mbuluar kostot dhe për të siguruar fitim.

Shqetësimin e ndan edhe fermeri Bashkim Zenaj, i cili pohon se grumbulluesit po ofrojnë rreth 350 lekë për litër, çmim që e konsideron të paleverdishëm. “Këtë vit, prodhimi i vajit të ullirit është i mbarë, por mungon tregu i shitjes. Vaji po kërkohet me çmim 350 lekë për litër, dhe pritet të bjerë edhe më shumë. Çmimi i kërkuar është i paleverdishëm. Jemi të detyruar ta mbajmë vajin në shtëpi stok”, pohon ai.

Ndërsa Alket Peqini tregon se ende nuk ka shitur një pjesë të prodhimit të vitit të kaluar, me vlerë rreth 100 mijë lekë. Ai kërkon ndërhyrjen e shtetit për grumbullimin e vajit deri në stabilizimin e çmimeve, pasi nuk di si të përballojë prodhimin e ri.

“Në shtëpi kam ende të pashitur nga prodhimi i vjetshëm, vaj ulliri në vlerën e 100 mijë lekëve. Nuk di se çfarë do të bëj me prodhimin e ri të vajit të ullirit. Do ta hedh në kanal sepse nuk kam ku ta tregtoj me këtë çmim. Shteti duhet të na ndihmojë me grumbullimin e vajit deri sa çmimi të stabilizohet, ashtu siç po ndodh edhe në vende të tjera të Europës”, pohon ai.

Problemi lidhet edhe me bllokimin e eksporteve. Aldo Jolla, përpunues dhe grumbullues i vajit të ullirit në zonën e Belshit pohoi për Monitor se deri tani nuk ka grumbulluar asnjë litër vaj nga fermerët, për shkak të çmimeve të kërkuara dhe mungesës së mundësive të shitjes jashtë vendit. Sipas tij, grosistët italianë kërkojnë vajin rifuxho me çmime rreth 3.2–3.5 euro për litër, ndërsa kostot e prodhimit në Shqipëri mbeten të larta.

Jolla paralajmëron se situata mund të sjellë braktisjen e ullishteve, pasi fermerët rrezikojnë të heqin dorë nga shërbimet dhe mirëmbajtja e pemëve për shkak të mungesës së fitimit.

Sipas të dhënave të Doganave, për vitin 2025, u eksportua rreth 891 tonë vaj ulliri, nga 2,339 tonë në vitin 2024. Në sasi, eksportet ranë me rreth 62%. Edhe vlera e tyre u tkurr ndjeshëm, nga rreth 1.65 miliardë lekë në vitin 2024, në 492.4 milionë lekë në vitin 2025, ose rreth 70%. Vaji i ullirit po rrezikon ndalimin e grumbullimit, çmimi bie në 500 lekë për litër
 

Përballë kësaj situate, fermerët kërkojnë mbështetjen e qeverisë për grumbullimin e prodhimit. Por zv.ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Fatmir Guri, deklaroi se shteti shqiptar nuk mund të ndjekë modelin e Spanjës, ku një sasi e konsiderueshme e vajit të ullirit grumbullohet dhe mbahet deri në stabilizimin e çmimeve.

“Ne nuk mund të veprojmë si në Spanjë, ku një sasi e lartë e vajit grumbullohet deri në stabilizimin e çmimit. Kjo është e pamundur për shkak të garantimit të cilësisë, sipas standardeve”, u shpreh z. Guri. Deklarata u bë gjatë punimeve të Forumit të Katërt Kombëtar për Cilësinë dhe Standardet, ku zv.ministri foli për sfidat e përafrimit të bujqësisë shqiptare me kërkesat e Bashkimit Europian./Monitor

 

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion