“Erion, këtë herë e ke gabim!”/ Braçe kundër Veliajt për shkarkimin nga qelia të Zhaneta Beqirit: Kthejeni pas vendimin!

Politikë

“Erion, këtë herë e ke gabim!”/ Braçe

Deputeti socialist Erion Braçe ka dalë kundër kryebashkiakut Erion Veliaj për vendimin e shkarkimit të Zhaneta Beqirit, drejtoreshës së çerdheve dhe kopshteve në Tiranë. Vendimi është firmosur nga Veliaj nga qelia, ndërsa Braçe e cilëson të padrejtë dhe kërkon rikthimin e saj në detyrë.

Deputeti socialist Erion Braçe ka dalë kundër vendimit për shkarkimin nga detyra të Zhaneta Beqirit, e cila prej 13 vitesh ka drejtuar shërbimin publik të çerdheve dhe kopshteve në Tiranë. Në një reagim publik, Braçe i është drejtuar kryebashkiakut Erion Veliaj, duke e cilësuar vendimin të padrejtë dhe duke kërkuar rikthimin e Beqirit në detyrë.

“Erion, këtë herë e ke gabim!”, shkruan Braçe, ndërsa vlerëson punën dhe përkushtimin e Beqirit, duke e konsideruar një nga njerëzit që kanë kontribuar në kthimin e shërbimit publik të çerdheve dhe kopshteve në një model suksesi në kryeqytet.

“Zhaneta Beqiri është gruaja në krye të shërbimit publik të çerdheve dhe kopshteve në qytetin e Tiranës. Një shërbim që e them me plot gojën, është i vetmi brand publik në këtë qytet; ia ka dalë të konkurrojë e të mundë shërbimin privat në këtë lemë. Besoj shumë se Bashkia e Tiranës e ka krenari këtë brand publik”, shprehet deputeti socialist.

Braçe thekson se gjatë 20 muajve të fundit, kur ka punuar në Tiranë, e ka parë personalisht Beqirin në terren, pranë fëmijëve dhe punonjësve të çerdheve dhe kopshteve, duke vlerësuar angazhimin e saj të përditshëm.

“Zhaneta Beqirin unë e njoh në punë, vetëm aty; nuk kam pasur njohje personale me të këto 13 vitet e fundit, kur ajo ka drejtuar këtë shërbim. E njoha këto 20 muaj që punoj në Tiranë; e kam gjetur në çerdhe e kopshte, jo në zyrë. E kam parë krejt rastësisht në Irfan Tomini, Vasil Shanto, zonën e Shushicës, Ish-Bllok, 1 Maji – aty me fëmijët, duke i mbajtur në krahë e duke luajtur me ta, me edukatoret, me guzhinieret, me prindërit”, shkruan ai.

Sipas Braçes, përkushtimi i Beqirit dhe i stafit ka qenë një nga arsyet kryesore që shërbimi publik i çerdheve dhe kopshteve në Tiranë ka arritur të konkurrojë me atë privat.

“Nuk e kam gjetur në orën 11, 12, 13 etj., por që në 8, 8.05, 8.10, 8.15 të mëngjesit, në punën e saj, pa e ditur aspak për praninë time aty. Dhe unë, i habitur prej përkushtimit të saj, prej kujdesit për higjienën e deri te niveli i muzikës në ambientet e fëmijëve”, vijon Braçe.

Deputeti socialist tregon se për shkarkimin e Beqirit është njoftuar nga një nënë, ndërsa më pas ka marrë mesazhe të shumta nga prindër që kundërshtojnë largimin e saj.

“Sot në mëngjes, një grua, nënë, më shkroi se Zhaneta Beqiri ishte pushuar nga puna dhe më bëri me dije se ky është një gabim e dëm i madh që po i bëhet këtij shërbimi, mbi të gjitha fëmijëve. Kuptova përmasën e dëmit kur kontrollova mesazhet e shumta në telefon e në rrjetet sociale. Prindërit i kanë besuar fëmijët këtij shërbimi dhe njerëzve që e ndërtuan dhe e kthyen në brand publik – nuk mund të luhet me ta!”, shprehet Braçe.

Në përfundim, ai i kërkon publikisht kryebashkiakut Veliaj dhe zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës të tërheqin vendimin, duke theksuar se puna e Beqirit duhet të vlerësohet mbi çdo arsye tjetër.

“Ndaj do t’i kërkoja publikisht kryetarit të bashkisë dhe çdo zyrtari tjetër nën të: kthejeni pas atë vendim! Për cilëndo arsye, është i padrejtë! Nuk dua t’u besoj dhe as i marr në konsideratë ato që po dëgjoj; mua më vlen puna dhe shërbimi ndaj njerëzve në këtë qytet. Punën e kam parë me sytë e mi dhe vlerësimin për të e kam marrë nga mijëra sy të tjerë, fëmijësh e prindërish të lumtur!”, përfundon Braçe.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion