Tragj*di në Itali, humb jetën 31-vjeçarja shqiptare në aksid*nt, plagosen fëmijët (EMRI)

Një aksident i rëndë automobilistik në Itali i ka marrë jetën një 31-vjeçareje me origjinë shqiptare, ndërsa tre fëmijë që ndodheshin në të njëjtin automjet kanë mbetur të plagosur.
Viktima është identifikuar si Emanuela Shahini, banuese në Prata di Pordenone. Aksidenti ndodhi paraditen e 22 nëntorit, rreth orës 11:00, në zonën e Prata di Pordenone, teksa 31-vjeçarja po udhëtonte drejt Villanova-s, ku do të merrte pjesë në festën e ditëlindjes së 10-të të nipit të saj.
Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes nga karabinierët, automjeti tip “Ford Fiesta” humbi kontrollin në një kthesë, dyshohet për shkak të lagështirës në rrugë nga reshjet e shiut. Makina doli nga rruga dhe u përplas me një shtyllë betoni, e cila u shemb dhe depërtoi në pjesën e përparme të automjetit. Përplasja ishte tepër e fortë, duke bërë që makina të përfundonte e përmbysur mbi strukturën prej betoni.
Emanuela mbeti e bllokuar në automjetin e shkatërruar dhe u nxor prej tij nga zjarrfikësit. Pavarësisht ndërhyrjes së ekipeve mjekësore dhe transportimit me urgjencë në spitalin Santa Maria degli Angeli në Pordenone, ajo ndërroi jetë pak pas mbërritjes, rreth orës 12:30.
Në makinë udhëtonin edhe tre të mitur: djali 6-vjeçar dhe vajza 4-vjeçare e 31-vjeçares, si dhe një shoqe e tyre 10-vjeçare. Fatmirësisht, fëmijët arritën të dilnin vetë nga automjeti pas aksidentit.
Vajza 4-vjeçare u transportua me helikopter në spitalin e Udines, ndërsa dy fëmijët e tjerë u dërguan në spitalin e Pordenones për kontrolle dhe trajtim mjekësor. Ata kanë pësuar dëmtime dhe mavijosje në pjesë të ndryshme të trupit.
Në vendngjarje ndërhynë ambulancat, helikopteri mjekësor, zjarrfikësit dhe karabinierët e kompanisë Sacile. Ndërkohë, autoritetet po vijojnë hetimet për të përcaktuar me saktësi shkaqet dhe dinamikën e aksidentit, si dhe për të verifikuar nëse të gjithë personat në automjet kishin vendosur rripat e sigurimit.
Ngjarja ka tronditur komunitetin e Prata di Pordenone. Kryetarja e bashkisë, Katia Cescon, ka shprehur ngushëllimet për familjen e 31-vjeçares, duke shprehur gjithashtu solidaritetin me të afërmit dhe një mesazh të veçantë mbështetjeje për vajzën e vogël që ndodhet e shtruar në spital.


