Sigurimi i depozitave: Projektligji parashikon rritjen e mbulimit në banka deri në 6 milionë lekë

Depozitat e qytetarëve në banka do të përfitojnë mbrojtje më të lartë, pasi projektligji i ri “Për sigurimin e depozitave” parashikon rritjen graduale të shumës së garantuar nga 2,5 milionë lekë në 6 milionë lekë.
Projektligji, i hartuar nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave, synon të forcojë mbrojtjen e kursimeve të qytetarëve dhe të përafrojë sistemin shqiptar të sigurimit të depozitave me standardet e Bashkimit Europian.
Sipas relacionit shpjegues, një tjetër risi është mbrojtja shtesë për individët që depozitojnë në bankë shuma të mëdha parash për arsye të veçanta, si shitja e një banese, trashëgimia, divorci, pensioni apo largimi nga puna.
Në këto raste, parashikohet kompensim shtesë deri në 15 milionë lekë mbi kufirin e zakonshëm të sigurimit, nëse paratë janë përfituar ose transferuar në llogari brenda gjashtë muajve para ngjarjes që aktivizon skemën e sigurimit. Ky mekanizëm parashikohet të nisë më 1 korrik 2027.
Pas anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, mbulimi shtesë për këto raste parashikohet të arrijë kundërvlerën në lekë të 500 mijë eurove.
Ndërkohë, për depozitat në shoqëritë e kursim-kreditit, kufiri i garantimit do të mbetet 2 milionë lekë deri në anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Më pas, parashikohet që mbulimi të arrijë kundërvlerën në lekë të 100 mijë eurove, njësoj si për depozitat bankare.
Projektligji zgjeron gjithashtu kategorinë e depozituesve që mund të përfitojnë nga skema. Në të parashikohet përfshirja e depozitave të organizatave jofitimprurëse, fondacioneve, partive politike, njësive të pushtetit vendor, shkollave dhe spitaleve, si dhe e disa kategorive që aktualisht përjashtohen nga sigurimi.
Ndryshimet synojnë edhe përmirësimin e mënyrës së financimit të skemës. Primi që bankat paguajnë për sigurimin e depozitave do të llogaritet duke marrë parasysh nivelin e rrezikut, ndërsa do të përcaktohet edhe niveli i synuar i fondit të sigurimit.
Një rol më të zgjeruar do të ketë edhe Agjencia e Sigurimit të Depozitave në rastet e krizave financiare, duke marrë pjesë në kompensimin e depozituesve kur depozitat bëhen të padisponueshme, si dhe në financimin e transferimit të fondeve gjatë likuidimit të detyruar të një banke ose subjekti tjetër anëtar të skemës, sipas kushteve të përcaktuara në projektligj.
Nisma është pjesë e procesit të përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian në kuadër të Kapitullit 9 “Shërbimet financiare”. Për hartimin e saj, Agjencia ka bashkëpunuar me asistencën teknike të Bankës Botërore.
Sipas relacionit, ndryshimet synojnë të rrisin sigurinë e kursimeve, të përmirësojnë funksionimin e skemës së sigurimit të depozitave dhe të forcojnë qëndrueshmërinë e sistemit bankar e financiar.


