Shembet pallati 7-katësh në Stamboll, disa persona nën rrënoja

Një pjesë e një pallati shtatëkatësh është shembur mëngjesin e së enjtes në lagjen Maltepe të Stambollit, duke shkaktuar panik dhe duke bllokuar disa persona nën rrënoja.
Ngjarja ndodhi rreth orës 05:40 në rrugën Doğu, në lagjen Sevizli, ku tre katet e poshtme të ndërtesës u shembën për një arsye ende të panjohur. Pjesët e sipërme të pallatit mbetën në këmbë, por struktura u konsiderua e paqëndrueshme dhe ekzistonte rreziku i shembjes së mëtejshme.
Menjëherë pas incidentit, në zonë mbërritën forca të shumta të Departamentit të Zjarrfikësve, AFAD, policisë dhe shërbimeve shëndetësore. Ekipet nisën një operacion të gjerë kërkim-shpëtimi për personat që dyshohej se kishin mbetur të bllokuar nën rrënoja.
Banorët që ndodheshin në katet e sipërme u evakuuan me ndihmën e ekipeve të shpëtimit, ndërsa kërkimet u përqendruan në pjesën e shembur të ndërtesës.
Sipas të dhënave të bëra publike, pallati kishte 12 apartamente dhe gjithsej 33 banorë ishin të regjistruar në të.
Guvernatori i Stambollit, Davut Gül, deklaroi fillimisht se pesë persona ishin nxjerrë të gjallë nga rrënojat, ndërsa shtatë të tjerë dyshohej se kishin mbetur të bllokuar. Me katër prej tyre ishte vendosur komunikim, ndërsa ekipet vijonin përpjekjet për të gjetur edhe personat e tjerë.
Ndërkohë, sipas informacioneve më të fundit nga mediat turke, numri i personave të nxjerrë nga ndërtesa të plagosur ka shkuar në tetë. Dhjetë persona që ndodheshin në katet e sipërme të pallatit janë evakuuar në mënyrë të sigurt.
Banorët e zonës e përshkruan momentin e shembjes si shumë të fuqishëm. “U zgjuam sikur të kishte rënë një tërmet”, tha një prej tyre, duke treguar për zhurmën e fortë dhe lëkundjet e shkaktuara nga shembja.
Pas shembjes u krijua një re e madhe pluhuri. Ndërtesa nuk u shemb plotësisht, por pjesa e mbetur u anua, duke rritur shqetësimet për një shembje të mëtejshme. Për këtë arsye, zona përreth është rrethuar dhe ekipet e shpëtimit po punojnë me kujdes.
Shkaqet e shembjes ende nuk dihen. Autoritetet kanë nisur një hetim teknik, administrativ dhe gjyqësor për të përcaktuar se çfarë shkaktoi shembjen e tre kateve të para.
Sipas raportimeve nga Turqia, ndërtesa ishte ndërtuar në vitin 1987, ndërsa në katin përdhes funksiononin disa dyqane.
Operacioni i kërkim-shpëtimit vijon, ndërsa autoritetet po monitorojnë nga afër gjendjen e strukturës së mbetur të pallatit.


