Ekspertët zbulojnë si ndikon në cilësinë e gjumit mbajtja e telefonit pranë kokës gjatë natës

Përdorimi i telefonit celular para gjumit dhe mbajtja e tij pranë shtratit mund të ndikojnë negativisht në cilësinë e pushimit gjatë natës. Ekspertët e gjumit paralajmërojnë se njoftimet e vazhdueshme, drita e ekranit dhe pritja e mesazheve mund ta mbajnë trurin në gjendje aktiviteti, duke vështirësuar rënien në gjumë dhe duke shkaktuar ndërprerje të tij.
Megjithëse shumë njerëz e mbajnë telefonin pranë kokës nga frika se mund të humbasin një telefonatë urgjente, studimet sugjerojnë se largimi i pajisjes nga dhoma e gjumit mund të sjellë përmirësime në cilësinë e pushimit.
Një studim i publikuar në vitin 2018 tregoi se tre në katër pjesëmarrës, të cilët e mbajtën telefonin jashtë dhomës për një javë, raportuan se kishin fjetur më mirë, i kishte zënë gjumi më shpejt dhe ishin ndier më pak të shqetësuar.
Megjithatë, ekspertët nuk e konsiderojnë të domosdoshëm fikjen e plotë të telefonit. Për personat që duhet të jenë të disponueshëm në raste urgjente, rekomandohet aktivizimi i funksionit “Do Not Disturb”, duke lejuar telefonatat nga kontaktet e rëndësishme ose thirrjet e përsëritura nga i njëjti person.
Një tjetër sugjerim është largimi gradual i telefonit nga shtrati, fillimisht duke e vendosur në një komodinë më larg dhe më pas, nëse është e mundur, jashtë dhomës së gjumit.
Ekspertët këshillojnë gjithashtu përdorimin e një ore tradicionale me alarm, në mënyrë që telefoni të mos jetë i nevojshëm as për t'u zgjuar në mëngjes.
Sipas tyre, edhe ndryshimet e vogla në rutinën e mbrëmjes mund të ndihmojnë në përmirësimin e gjumit, duke ruajtur njëkohësisht mundësinë për t'iu përgjigjur telefonatave të rëndësishme.


