Rama sqaron qëndrimin për Kushtetutën e RMV-së: Shqipëria nuk bëhet pengesë për rrugën drejt BE-së

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me debatet e krijuara në Maqedoninë e Veriut pas deklaratave të tij për përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutë, duke theksuar se Shqipëria nuk do të bëhet pengesë për integrimin europian të vendit fqinj.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin maqedonas, Hristijan Mickoski, Rama iu përgjigj pyetjes së një gazetari të televizionit Alsat, nëse Shqipëria, në rast se anëtarësohet më parë në Bashkimin Europian, do të mbështeste një veto ndaj Maqedonisë së Veriut për shkak të mosplotësimit të këtij kushti.
Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se ka qenë vazhdimisht një mbështetës i integrimit europian të Maqedonisë së Veriut dhe se nuk do t'i diktonte asnjëherë qeverisë apo qytetarëve të saj vendimet që duhet të marrin.
Rama sqaroi se deklarata që nxiti debat ishte bërë gjatë një interviste me një gazetar bullgar, në prag të vizitës së tij në Bullgari. Ai tha se kishte folur për sakrificat që ka bërë Maqedonia e Veriut në procesin e integrimit, përfshirë ndryshimin e emrit, ndërsa sipas tij, Bashkimi Europian nuk i ka përmbushur të gjitha premtimet.
Kryeministri shqiptar u shpreh se e kupton shqetësimin e palës maqedonase për mundësinë e vendosjes së kushteve të tjera edhe pas ndryshimit të Kushtetutës, por theksoi se vlerësimi i tij është që përfshirja e pakicës bullgare mund të zhbllokojë procesin.
“Normalisht unë e kam të vështirë të shikoj një rrugë tjetër, por është thjesht opinioni im. Nuk i jap askujt leksione dhe kurrën e kurrës Shqipëria nuk do bëhet pengesë në asnjë formë për të vonuar anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian”, deklaroi Rama.
Ai komentoi gjithashtu marrëdhëniet me homologun Hristijan Mickoski, duke mohuar se deklaratat e tij për çështjen bullgare mund të ndikojnë në raportet mes tyre.
“Mes meje dhe kryeministrit Mickoski nuk ka absolutisht asnjë lloj dallimi substancial që e pengon miqësinë tonë. Përkundrazi, miqësia jonë është një miqësi që me kalimin e kohës bëhet shumë e qartë”, përfundoi kryeministri Rama.


