Protestuesit kërkojnë të rrëzojnë rrethimin, tensionohet situata në protestën kundër muzeut hebraik në Vlorë

Me dhjetëra qytetarë kanë dalë në protestë në Vlorë, kundër Muzeut Hebraik që është planifikuar të ndërtohet në lagjen ‘Muradije’ të qytetit.
Gjatë protestës janë shënuar edhe përplasje mes protestuesve e forcave të Policisë, të cilët kanë ndërhyrë për të shpërndarë të pranishmit.
Protesta vjen pasi ditën e djeshme Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Lushnjë ka pranuar kërkesën për sigurimin e padisë, duke vendosur pezullimin e punimeve për ndërtimin e Muzeut Hebraik, në monumentin pranë ish-Klubit Patriotik “Labëria” në Vlorë.
Padia ishte bërë nga përfaqësuesit e nismës për mbrojtjen e monumentit dhe nga persona që kanë kundërshtuar ndërhyrjet pranë monumentit. Po ashtu, 1034 qytetarë kanë firmosur një peticion kundër këtyre punimeve për ndërtimin e Muzeut Hebraik.
Në Vlorë janë zhvilluar edhe disa protesta të tjera kundër ndërtimit të Muzeut Hebraik, ku edhe më parë janë shënuar përplasje mes protestuesve e Policisë.


