"Ishte e orkestruar!", incidenti gjatë protestës, reagon Klevis Balliu: Kam denoncuar dy afera

Deputeti i PD, Kelvis Balliu foli për incidentin e mbrëmjes së kaluar, kur u sulmua nga persona që ai i cilësoi si civilë të lidhur me Policinë e Shtetit, duke pretenduar se u detyrua të kalonte përmes Lanës për t’i shpëtuar përplasjes.
I ftuar në News24, deputeti demokrat deklaroi se sulmi ndaj tij ishte i orkestruar për shkak të denoncimeve që ai ka bërë për Policinë, KAYO-n dhe Belinda Ballukun.
“Nuk bëhet fjalë për studentë. Nuk është mirë që të flasësh për veten, por ju jeni të vetëdijshëm se ndër denoncimet më të fuqishme që jam marrë unë janë ato që lidhen me Policinë e Shtetit. Një nga personazhet që kam përmendur unë, që emëroi Skënder Hitën, është Lubi Balluku. Ajo vendosi udhëheqjen e policisë, duke nisur nga Hita.
Për Lubinë kam folur shumë. Përballjen dhe përplasjet e mia me Edi Ramën dhe aferat që kam publikuar, si KAYO, apo për kanabisizimin e vendit, marrëdhëniet me kartelet e drogës, të familjes së Ramës. Kam mbaruar një shkollë në Angli për politikë, por ajo nuk i qasej shumë situatës së realitetit të Shqipërisë, dhe më është dashur që të bëj një shkollë tjetër me qytetarët, siç ishte dhe protesta e Unazës, e Bregut të Lumit, e Thumanë-Kashar, dhe në këto protesta kam qenë krah qytetarëve.
Edhe pse janë me kosto për karrierën politike. Të shkosh kundër karteleve të qeverisë ka kosto. Unë dje bëra një denoncim për civilët që sulmojnë studentët, si Suel Çela, për marrëdhëniet që ai ka me policinë dhe Ramën e Ballukut. Do të keni fakte interesante për partiçkat dhe qorrat. Këto partiçka janë plaçka të tyre. Do të mbahet përgjegjësi. Jam i bindur se çdo gjë do të shkojë në vendin e duhur”, tha Balliu.
Deputeti i PD-së akuzoi gjithashtu Ramën se po përpiqet të arrijë një marrëveshje me persona brenda dhe jashtë politikës për t’i shpëtuar përgjegjësisë penale.
“Ky njeri, Rama, rrëzohet me protestë. Arsyeja se pse nuk e jep dorëheqjen është se po bën tentativa që të bëjë marrëveshje me miq anëtarë dhe jo anëtarë, për t’i shpëtuar burgut. Duhet të ketë zero tolerim ndaj komunistëve.
Partiçkat që po përdorin, që është Qori, ai përdoret për këto, ndaj i japim një mandat që të kapin ndonjë lek. Gruaja e Qorit është koordinatore e BE-së, e dini se sa i kanë rrogat ato?! Dhe del dhe thotë: lëviz me autobus. Goditja që bëhet nga skema kriminale e Belinda Ballukut, e Ramës, për të goditur protestën e studentëve dhe PD-në, do të marrë përgjigjen e gabuar.”, tha ai.


