Përplasje fizike, gaz lotsjellës dhe shuplakë në fytyrë! / Gjithçka që ndodhi me protestën jashtë Kuvendit

Seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë është shoqëruar sot me tensione jashtë godinës së Parlamentit, ku zhvillohej protesta kundër Reformës Territoriale.
Partia Demokratike kishte thirrur një protestë kombëtare për të kundërshtuar propozimin e mazhorancës për rritjen e numrit të bashkive. Në tubim janë bashkuar edhe protestuesit që prej më shumë se katër muajsh vijojnë protestat e përnatshme në bulevard, por këta të fundit kanë qëndruar si një grupim i veçantë nga mbështetësit e PD-së.
Policia kishte shtuar ndjeshëm masat e sigurisë përreth Kuvendit, ndërsa që në nisje të protestës u regjistruan përplasje mes protestuesve dhe efektivëve. Disa prej tubuesve tentuan të çanin kordonin e policisë, duke shtyrë fizikisht punonjësit e rendit për t’iu afruar hyrjeve të Kuvendit.
Për të frenuar situatën, policia përdori spraj lotsjellës, duke bërë që turma të tërhiqej dhe situata të qetësohej përkohësisht.
Një tjetër incident u shënua gjatë protestës mes dy pjesëmarrësve. Në pamje u pa një burrë teksa godiste me shuplakë një të ri.
Ndërkohë, protestuesit kanë bllokuar edhe disa prej akseve rrugore pranë Kuvendit. Në përpjekje për të negociuar me policinë, disa deputetë të Partisë Demokratike kanë ndërhyrë, duke kërkuar që efektivët të lejonin vijimin e lëvizjes së protestuesve sipas “planit” të përcaktuar për tubimin.
Pavarësisht negociatave, protestuesit nuk kanë mundur të kalojnë përtej kordonit të policisë. Në shenjë revolte, disa prej tyre u kanë vënë flakën koshave të mbeturinave, duke përshkallëzuar situatën jashtë Kuvendit.


