GJKKO “fali” për 1 vit Greta Gjocin/ Me foshnjën 4-muajshe në krahë, e dënuara largohet nga burgu i Pojskës

Aktualitet

GJKKO “fali” për 1 vit Greta Gjocin/ Me foshnjën 4-muajshe

Pas vendimit të GJKKO-së për pezullimin e ekzekutimit të dënimit, Greta Gjoci ka lënë sot ambientet e IEVP Pojskë, vetëm një ditë pasi ishte dërguar në burg së bashku me foshnjën e saj 4-muajshe.

33-vjeçarja ishte dënuar me 6 vite e 8 muaj burgim dhe rasti i saj tërhoqi vëmendjen pas vendosjes në qeli së bashku me foshnjën. Avokati i Popullit nisi verifikimin e kushteve dhe trajtimit të nënës dhe fëmijës, ndërsa një grup pune vizitoi institucionin dhe u takua me Gjocin.

Sot, GJKKO vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit për një vit, duke i hapur rrugë daljes së saj nga burgu.

Pas përfundimit të procedurave, bashkëshorti i saj mbërriti pranë IEVP Pojskë për ta marrë. Greta Gjoci doli nga ambientet e burgut dhe së bashku me bashkëshortin u nisën drejt banesës, ndërsa me vete kishte edhe foshnjën 4-muajshe.

Në momentin e daljes nga burgu, familjarët nuk kanë preferuar të prononcohen para kamerave. Jashtë kamerave, ata kanë shprehur falënderimin e tyre për gjykatën dhe për vendimin e marrë sot, pa dhënë një deklaratë publike për mediat.

ME TE LEXUARAT