Nesër shpallet fituesi i çmimit Nobel për Paqen – Trump kërkon dekorimin: Kam ndaluar 8 konflikte në botë

Bota

Nesër shpallet fituesi i çmimit Nobel për Paqen – Trump

Presidenti amerikan Donald Trump ka intensifikuar kërkesën publike për Çmimin Nobel për Paqen 2026, vetëm një ditë para shpalljes së laureatit nga Komiteti Norvegjez i Nobelit.

Duke folur nga Zyra Ovale, Trump deklaroi se gjatë mandatit të tij të dytë ka luajtur rol vendimtar në përfundimin apo parandalimin e tetë konflikteve ndërkombëtare. Ai pretendoi se arritjet e tij diplomatike janë të paprecedenta dhe se mosdhënia e çmimit do të dëmtonte prestigjin e vetë Komitetit të Nobelit.

Sipas Trump, ndër konfliktet ku ai pretendon se ka ndikuar janë përplasjet mes Indisë dhe Pakistanit, Izraelit dhe Hamasit, Izraelit dhe Iranit, Kamboxhias dhe Tajlandës, Serbisë dhe Kosovës, Ruandës dhe Republikës Demokratike të Kongos, Armenisë dhe Azerbajxhanit, si dhe mosmarrëveshja për ujërat e Nilit mes Egjiptit dhe Etiopisë.

Pretendimet e presidentit amerikan janë kundërshtuar ose pritur me skepticizëm në disa raste. India, për shembull, ka mohuar se Uashingtoni ka ndërmjetësuar armëpushimin me Pakistanin në maj 2025, duke këmbëngulur se marrëveshja u arrit përmes kontakteve dypalëshe. Ndërkohë, në disa prej zonave të përmendura prej Trump, tensionet dhe përplasjet janë rikthyer.

Në deklaratën e tij, Trump sulmoi gjithashtu ish-presidentin Barack Obama, i cili u nderua me Nobelin për Paqen në vitin 2009. Sipas tij, Obama nuk kishte bërë mjaftueshëm për ta merituar këtë vlerësim.

Trump përmendi edhe lideren opozitare venezueliane María Corina Machado, laureate e Nobelit për Paqen 2025, duke pretenduar se gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë ajo i kishte thënë se medalja duhej t’i jepej atij.

Megjithatë, pavarësisht deklaratave të forta, presidenti amerikan pranoi se nuk e di nëse do të jetë fituesi i këtij viti. Ai shprehu bindjen se Komiteti Norvegjez mund të mos jetë i prirur t’ia japë çmimin një figure si ai.

Laureati i Çmimit Nobel për Paqen 2026 pritet të shpallet të premten, më 9 tetor, në Oslo. Për këtë kategori janë regjistruar gjithsej 287 nominime, prej të cilave 208 janë individë dhe 79 organizata.

ME TE LEXUARAT