“Kapitalizmi është kafshë e egër”, Rama paralajmëron bizneset: Do të ketë kontrolle për uljen e TVSH-së

Kryeministri Edi Rama ka folur në episodin e sotëm të podcastit “Flasim” për Paketën Fiskale 2027, duke u ndalur te ulja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) nga 20% në 6% për 54 produkte të shportës bazë.
Rama theksoi se kjo masë duhet të reflektohet konkretisht në çmimet për konsumatorët dhe paralajmëroi kontrolle të shtuara nga institucionet shtetërore për të garantuar zbatimin e saj.
Gjatë diskutimit me përfaqësues të rrjeteve të marketeve, kreu i qeverisë kërkoi përgjegjshmëri nga tregtarët, duke pranuar se ulja e TVSH-së nuk do të përkthehet automatikisht në ulje të çmimeve. Sipas tij, një pjesë e bizneseve mund të tentojnë ta mbajnë diferencën për të rritur fitimet.
“Kapitalizmi është kafshë e egër, që nuk bëhet lepur”, u shpreh Rama, duke nënvizuar nevojën për transparencë dhe ndërhyrje të qeverisë për të zbutur hendekun mes shtresave të ndryshme shoqërore.
Në këtë kuadër, kryeministri u bëri thirrje qytetarëve të përdorin platformën “Pasqyra Dixhitale e Çmimeve”, e cila mundëson krahasimin e çmimeve të 224 produkteve në pika të ndryshme shitjeje.
Sipas Ramës, transparenca dhe informimi i konsumatorëve janë elementë të rëndësishëm për të nxitur konkurrencën dhe për të shmangur abuzimet me çmimet.
Gjatë podcastit, drejtuesja e projektit prezantoi edhe të dhënat e platformës, e cila që prej lançimit ka regjistruar mbi 10 mijë vizitorë unikë dhe më shumë se 63 mijë hapje të faqes. Ajo bëri të ditur se 34% e produkteve të monitoruara kanë shënuar ulje çmimi gjatë pesë javëve të fundit.
Sipas saj, publikimi i çmimeve ka ndikuar në rritjen e konkurrencës mes tregtarëve, pasi bizneset kanë reaguar duke ulur çmimet e produkteve për të mos u renditur ndër shitësit më të shtrenjtë. Platformës i është shtuar gjithashtu edhe funksioni i kërkimit përmes barkodit, duke e bërë më të lehtë identifikimin dhe krahasimin e produkteve nga qytetarët.
“Mbi 10 mijë vizitorë unikë, faqja është hapur mbi 63 mijë herë dhe një vizitor qëndron mbi 3 minuta në faqe, pra jo vetëm për të parë dizajnin e faqes, por shfleton mesatarisht 5 faqe. Kjo tregon interes nga qytetarët.
Në pjesën e lëvizjes së tregut, sipas të dhënave, është vënë re që për 5 javë 34% e produkteve që kanë pasur ulje. Kemi kontaktuar edhe me tregtarët, sepse i ndihmojmë në hedhjen e të dhënave. Na kanë thënë që: “Pse unë jam i fundit? Do e rregullojmë, do e ulim çmimin. Pse jam unë tregtari me çmim më të lartë, kur s’kam pse të jem?”.
Dhe është vënë re që shumica kanë rritur numrin e artikujve që kanë çmim më të ulët. Është vënë re konkurrenca, ka lëvizur tregu sepse ka transparencë të dhënash. Aktualisht e kemi zhvilluar më shumë, sepse kemi futur opsionin e barkodit, që qytetari ta ketë më të lehtë për ta përdorur. Është në raftet e supermarketeve”, u shpreh drejtuesja e platformës.
Rama theksoi se përveç përgjegjësisë së bizneseve, zbatimi i uljes së TVSH-së kërkon edhe monitorim të vazhdueshëm nga institucionet, në mënyrë që përfitimi nga kjo masë fiskale të shkojë te konsumatorët dhe të mos mbetet vetëm në letër.


