Gazetari përplaset me Mickoskin në sy të Ramës: Na kërko falje për himnin shqiptar (Video)

Politikë

Gazetari përplaset me Mickoskin në sy të Ramës: Na

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, është vënë përballë kërkesës për t’u kërkuar falje shqiptarëve lidhur me polemikat për himnin kombëtar pak kohë më parë gjatë një aktiviteti në Pustec.

Përballja ndodhi në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama në Qafë Thanë, ku gazetari i Xhensil Shkëmbi, e pyeti drejtpërdrejt kreun e ekzekutivit maqedonas nëse e konsideronte të nevojshme një ndjesë për mënyrën se si ishte trajtuar himni shqiptar.

Mickoski nuk kërkoi falje, por kundërshtoi pretendimet për mosrespektimin e himnit, duke deklaruar se ai ishte ekzekutuar gjatë aktivitetit dhe duke i sugjeruar gazetarit se nuk e kishte ndjekur ceremoninë deri në fund.

“Në Pustec jeton komunitet minoritar maqedonas. Ne jemi popull shumëetnik dhe i vlerësojmë të gjithë. Sot po festojmë festën e 22 Nëntorit. Në lidhje me himnin, nuk e keni ndjekur aktivitetin deri në fund. Himni u ekzekutua. Të relaksohemi”, u përgjigj kryeministri maqedonas. 

Por gazetari Shkëmbi reagoi duke kundërshtuar versionin e Mickoskit. Ai sqaroi se himni shqiptar ishte ekzekutuar vetëm pasi aktiviteti kishte përfunduar dhe në ceremoni nuk kishte më pjesëmarrës. Sipas gazetarit, pikërisht ky veprim ishte denoncuar publikisht, pasi ekzekutimi i himnit pas përfundimit të ceremonisë nuk mund të konsiderohej i barasvlershëm me respektimin e tij gjatë aktivitetit zyrtar.Përplasja u zhvillua në prani të kryeministrit Edi Rama dhe riktheu në vëmendje polemikat që shoqëruan aktivitetin në Pustec, zonë ku jeton komuniteti i pakicës kombëtare maqedonase.

Mirëpo, tensionet e takimit të sotëm nuk u ndalën me kaq. Një gazetar nga Tetova akuzoi Ramën se nuk ka folur për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.

“Ju shpesh herë dini dhe bëheni shokë me kryeministrat. E keni shumë mik Aliahmetin, shpesh herë e bëni mik dhe zotin Mickoski, por nuk shoh se i bëni mik shqiptarët. Në Republikën e Maqedonisë së Veriut ka shumë raste që ju kurrë nuk keni reaguar, e asnjëherë nuk jeni interesuar për shqiptarët në vendin tonë. Ju i keni miq kryeministrat zoti Edi Rama, apo do bëni miq shqiptarët?”, tha gazetari nga Tetova.

Rama iu përgjigj se Maqedonia e Veriut është shtet sovran dhe se shqiptarët kanë partitë e tyre politike për t’u përfaqësuar.

“Ju as më keni parë e as do të më shikoni të bëj fushatë për ndonjë parti politike në Maqedoninë e Veriut”, tha Rama. Më tej, kryeministri shtoi se nuk duhet të kapërcehet kufiri i ndërhyrjes në çështjet e brendshme të një shteti tjetër.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion