Sherr masiv në Greqi, 50 të rinj sulmojnë 10 adoleshentë në një park, dy të plagosur rëndë

Një përleshje masive mes të rinjve ka ndodhur në mesnatë në qytetin e Volosit, në Greqi, ku rreth 50 persona kanë sulmuar një grup prej 10 të rinjsh në një park. Si pasojë, dy persona të moshës 17 deri në 20 vjeç kanë mbetur të plagosur rëndë.
Sipas mediave greke, ngjarja ndodhi në një park pranë një spitali. Autorët, të armatosur me shkopinj, dyshohet se sulmuan pa dallim personat që ndodheshin aty.
Në shënjestër të sulmit dyshohet se ishte një 20-vjeçar, i cili më herët gjatë ditës ishte përfshirë në një konflikt fizik me tre të rinj të tjerë. Pas përplasjes, ai kishte marrë mesazhe kërcënuese se do të përballej me pasoja për atë që kishte bërë.
Më vonë, teksa ndodhej në park me miqtë e tij, rreth 50 persona nga zona e Nea Ionias dhe pjesë të tjera të Volosit u kanë zënë pritë.
Të paktën katër të rinj u rrëzuan pas goditjeve në kokë dhe trup, ndërsa të tjerët u përpoqën të largoheshin duke vrapuar nëpër rrugët e zonës.
Sipas raportimeve, dy persona u transportuan në spitalin e Volosit, ndërsa një tjetër i ri u gjet pa ndjenja.


