Ekspertët alarmojnë: Gratë në Shqipëri ende drejtohen te mjeku vetëm pasi shfaqet problemi

Zbulimi i hershëm i kancerit të gjirit është vendimtar jo vetëm për mundësitë e trajtimit dhe ecurinë e sëmundjes, por edhe për kostot ekonomike që përballojnë pacientet dhe familjet e tyre.
Në rubrikën “Impakt Shëndet” të emisionit “Diagnozë”, në Vizion Plus, me moderatore Freskida Miloti, ekspertja e ekonomisë Romina Radonshiq u ndal te rëndësia e kontrolleve periodike dhe ndërgjegjësimit të grave për kujdesin ndaj shëndetit.
Sipas saj, mungesa e ndërgjegjësimit për kontrollet shëndetësore nuk lidhet domosdoshmërisht me nivelin arsimor, pasi edhe persona me arsim të lartë shpesh neglizhojnë kujdesin ndaj vetes.
Ajo theksoi se institucionet publike, organizatat dhe vetë vendet e punës duhet të luajnë një rol më aktiv në nxitjen e kontrolleve parandaluese.
Radonshiq ngriti gjithashtu shqetësimin se shumë gra në Shqipëri i drejtohen mjekut vetëm kur vërejnë se diçka nuk shkon me shëndetin, duke rrezikuar që sëmundja të zbulohet në një fazë më të avancuar.
“Një grua në Shqipëri shkon te mjeku kur shikon që diçka nuk po shkon mirë me shëndetin. Më pas mund të përballet me një situatë të pakëndshme, mund të zbulojë një problem të madh shëndetësor dhe i duhet të përballet me një sfidë që është jeta”, u shpreh Radonshiq.
Ajo u ndal edhe te ndikimi i stresit dhe lodhjes në vendin e punës, duke theksuar se këto simptoma nuk duhen neglizhuar, pasi në disa raste mund të lidhen edhe me probleme shëndetësore të fshehura.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm është barra financiare që shoqëron sëmundje të tilla. Edhe pse në Shqipëri ofrohen shërbime shëndetësore publike pa pagesë, trajtimi i sëmundjeve që kërkojnë ndërhyrje të shpejtë dhe të specializuar mund të shoqërohet me shpenzime të konsiderueshme për pacientet.
Për këtë arsye, diagnostikimi në kohë, kontrollet periodike dhe mbështetja e pacienteve mbeten elementë thelbësorë në përballimin e kancerit të gjirit.


