Transportonte dy makina drejt Shqipërisë në kamionin frigoriferik, policia gjobit shqiptarin dhe i heq patentën

Një 26-vjeçar shqiptar është ndaluar nga Policia Rrugore italiane pasi transportonte dy automjete drejt Shqipërisë, duke përdorur një kamion frigoriferik të përshtatur për transportin e ushqimeve.
Ngjarja u regjistrua në autostradën A14, pranë daljes së Cattolica-s, ku efektivët e Policisë Rrugore të Forlì-t ndaluan mjetin për kontroll.
Ajo që tërhoqi vëmendjen e policisë ishte konfigurimi i pazakontë i transportit. Kamioni ishte i pajisur për transport izotermik të ushqimeve të ftohta, por në rimorkio kishte ngarkuar një automjet tip SUV dhe një makinë tip station ëagon, të cilat ishin të destinuara për një blerës në Shqipëri.
Gjatë kontrollit, policia konstatoi se drejtuesi nuk dispononte licencat dhe autorizimet e nevojshme për transportin e automjeteve.
Për më tepër, 26-vjeçari drejtonte mjetin pa pasur kategorinë e duhur të lejes së drejtimit dhe nuk kishte regjistruar në tahograf certifikimin e tij profesional.
Tahografi është pajisja që regjistron kohën e drejtimit të automjetit dhe periudhat e pushimit të shoferit.
Për shkeljet e konstatuara, ndaj tij u vendosën gjoba me vlerë mbi 10 mijë euro, ndërsa policia i tërhoqi edhe lejen e drejtimit.


