EMRI/ Aks*denti tragjik i merr jetën 20-vjeçarit shqiptar në Itali

Një aksident tragjik në autostradën A1 në Itali i ka marrë jetën 20-vjeçarit shqiptar Thomas Qirjaj, i cili jetonte me familjen në Caorso, në provincën e Piacenzës.
Raportohet se aksidenti ndodhi në orët e para të së premtes, pranë daljes së Melegnano-s, në drejtim të San Giuliano Milanese. Sipas mediave italiane, i riu po udhëtonte së bashku me katër miq në një automjet tip Volvo, me targa zvicerane, kur drejtuesi humbi kontrollin dhe makina u përplas me ndarësen e autostradës.
Pas përplasjes, Thomas doli nga automjeti për të vendosur trekëndëshin e emergjencës dhe për të paralajmëruar drejtuesit e tjerë për rrezikun në rrugë. Por në ato momente, ai u godit nga një fuoristradë që po kalonte në autostradë. Automjeti drejtohej nga një 25-vjeçar nga Modena, i cili, sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, nuk arriti ta dallonte të riun në kohë.
Përplasja ishte fatale për 20-vjeçarin. Ai u transportua me urgjencë në spitalin Predabissi, në Vizzolo, por ndërroi jetë për shkak të plagëve të rënda, pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve. Katër miqtë që udhëtonin me të nuk pësuan dëmtime të rënda.
I riu kishte lindur në Piacenza, në një familje me origjinë shqiptare, dhe ishte fëmijë i vetëm.
Kryetarja e bashkisë së Caorso-s, Roberta Battaglia, shprehu ngushëllimet për familjen dhe dhimbjen e komunitetit për humbjen e të riut. Ajo u shpreh se e kishte parë Thomasin të rritej dhe e kujtoi si një djalë të integruar mirë në jetën e zonës.
Ndërkohë, Policia Rrugore dhe Prokuroria e Lodit po hetojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit. Autoritetet po përpiqen të përcaktojnë shkakun e përplasjes së parë të Volvo-s me ndarësen e autostradës, si dhe dinamikën e goditjes fatale nga automjeti tjetër. Sipas mediave italiane, drejtuesit të fuoristradës do t'i nënshtrohet edhe analizave toksikologjike.


