“Jam një vajzë nga familje e varfër” – Egla Ceno rrëfen historinë tronditëse: Mjekja detyrohet të flejë në spital

Një dëshmi e fortë për realitetin e zymtë të qyteteve të vogla në Shqipëri ka dalë në dritë gjatë një interviste të fundit, ku janë zbuluar detaje dramatike mbi braktisjen e Poliçanit.
Gjatë një bisede publike, aktorja Egla Ceno ndau në emisionin “Drejt” në “Ora News” një histori jetësore që ilustrojnë krizën e thellë sociale dhe shëndetësore jashtë metropoleve kryesore.
Sipas këtij rrëfimi tronditës, situata e sistemit shëndetësor në zonë ka degraduar deri në atë pikë sa një mjeke mbi 60 vjeç është e detyruar të jetojë dhe të flejë brenda qendrës shëndetësore. Për shkak të mungesës absolute të stafit mjekësor, ajo mbulon e vetme të treja turnet e punës duke transportuar edhe garderobën personale aty, për të shërbyer si e vetmja shpresë për urgjencat e komunitetit.
Në fjalën e saj, Ceno theksoi se Shqipëria tashmë është përqendruar në vetëm tre apo katër qytete kryesore, duke e lënë pjesën tjetër të vendit në harresë totale. Ky realitet thellësisht i pabarabartë është artikuluar si arsyeja kryesore e revoltës dhe daljes në protesta, si një formë e domosdoshme për të kërkuar rikthimin e dinjitetit të humbur qytetar.
PJESË NGA BISEDA NË STUDIO
Egla Ceno: Po, po. Unë jam një vajzë e një familje të varfër. Nuk kam pasur ndonjëherë komoditete, facilitete në jetë. Jam ndërtuar vetë, jam ndërtuar. Nuk është se kam ndërtuar ndonjë gjë kushedi se çfarë, po kaq sa kam bërë.
Të është dashur ta kalosh vetë detin në këmbë?
Egla Ceno: Një kalvar, po, po. Dhe është normale se duhet ta bëjë çdo njeri kam idenë. Të lindurit më të akomoduar në jetë, lum si ata, asgjë kundër kësaj domethënë. Vij nga një qytet i vogël që quhet Poliçan, ku sot që erdha në rrugë, kam një mikeshë doktoreshë, që është një doktoreshë mbi 60 vjeç që fle në qendrën shëndetësore të Poliçanit, se nuk ka staf.
Atje në Poliçan?
Egla Ceno: Se nuk ka staf, bën turnin e parë, të dytë dhe të tretë. Ka marrë...
Po s'ka spitale atje, as veten vetëm kjo.
Egla Ceno: Po, po, ka marrë garderobën e shtëpisë, rrobat, gjërat, rri aty, fle aty. Kur ka urgjenca, kur e marr për një kafe njerëzit e takojnë në rrugë sepse është individi i vetëm që kujdeset për atë komunitet si profesioniste në fushën e shëndetësisë. Kjo zonjë fle, dhe nuk është metaforë, fle në qendrën shëndetësore. Një është kjo. Jam një vajzë e Poliçanit ku dje takova një njeri nga ata që kur u prek dorën e kanë gjithë kallo.
Një djalë tek të pesëdhjetat, zanatçi, dhe duke bërë një bisedë kështu shumë të çlirët më tha: "Egla, po ngelën çunat të pamartuar". Sepse? "Po", tha, "sepse këtu është bosh, këtu nuk ka shpresë, këtu nuk të vjen. Po mirë mo le të marrin goca nga fshati se ndoshta...". "Po jo", tha, "ajo nga fshati do të shkojë në Durrës, do të shkojë..." Se Shqipëria është bërë Tirana.
Është bërë Durrësi, tre katër qytete që gëlojnë pak nga jeta, nga mundësitë, me zor po ia dalin. Pra Shqipëria është koncentruar sidomos në Tiranë. Nuk ka Shqipëri jashtë këtyre qyteteve. Dhe dal në protestë për këto arsye Luan, sepse duke qenë e bërë vetë, mua më dhëmb dinjiteti. Unë kam çfarë humbas, dhe humbja ime është dinjiteti. Për ta lidhur me pyetjen tuaj që pse disa artistë shkuan, pse... unë nuk di t'i përgjigjem kësaj gjëje.
Unë nuk gjykoj fare. Unë nuk i gjykoj fare, por përgjigjja ime mund të ishte që ndoshta kanë qenë në miqësi. Se unë nuk e shpjegoj dot ndryshe, larg qoftë t'i shkoj Gentit nesër diku në një... nuk e shpjegoj...


