Tragjedia me 3 shqiptarët e vrarë në Athinë / Autorët kishin 80 precedentë penalë, zbardhen akuzat e rënda

Kosovë&Rajon

Tragjedia me 3 shqiptarët e vrarë në Athinë / Autorët

Afro 80 herë ishin përballur më parë me autoritetet e policisë tre personat e arrestuar për shpërthimin vdekjeprurës në zonën e Plakës në Athinë, ku humbën jetën 6 persona, mes tyre edhe tre shqiptarë.

Autorët, të cilët janë dy shtetas grekë dhe një shqiptar i identifikuar si Kolian Ilia, dyshohet se kishin vjedhur një pjesë të tubacionit të bakrit në shkallët e ndërtesës në rrugën Lysikratous.

Sipas të dhënave të mbledhura nga autoritetet policore, tre të arrestuarit kanë një të kaluar të rënduar kriminale, me përfshirje në çështje që lidhen me vjedhje, grabitje, narkotikë dhe përvetësim të sendeve që burojnë nga veprimtaria kriminale.

Më konkretisht, njëri prej dy shtetasve grekë të arrestuar rezulton të ketë historikun më të gjatë të përplasjeve me ligjin. Nga viti 1985 deri në vitin 2026, ai është evidentuar nga policia rreth 45 herë për çështje që lidhen me vjedhje, grabitje dhe narkotikë.

I arrestuari i dytë grek është evidentuar nga autoritetet edhe 13 herë të tjera, gjatë periudhës 2008-2026, po për vepra penale që lidhen me vjedhje, grabitje dhe narkotikë.

Sa i përket shtetasit shqiptar, Kolian Ilia, nga viti 2019 deri në vitin 2026 ai ka rënë në vëmendjen e autoriteteve policore më shumë se 20 herë. Rastet ku ai është përfshirë lidhen me narkotikë, vjedhje, përvetësim të produkteve të veprës penale dhe grabitje.

Në total, bazuar në të dhënat e disponueshme, tre të arrestuarit rezultojnë të kenë rreth 80 precedentë ose përfshirje të mëparshme në çështje policore, ku rasti më i hershëm daton 41 vite më parë.

Më herët gjatë ditës së sotme, ndaj tyre u ngritën akuza për zjarrvënie të qëllimshme, nga e cila është rrezikuar jeta e njerëzve dhe që ka sjellë vdekjen e personave të tjerë, si dhe për shpërthim me të njëjtat pasoja.

Ata akuzohen gjithashtu për vrasje me dashje eventuale, në disa raste dhe në bashkëpunim, si dhe për plagosje të rrezikshme, në disa raste dhe në bashkëpunim.

Të tre kanë marrë afat për t’u paraqitur para hetuesve të hënën, më 2 nëntor, në orën 12:00.

Çfarë zbuluan kamerat e sigurisë në Plakë

Hetuesit analizuan pamjet e kamerave të sigurisë, ku shfaqen tre persona duke lëvizur në mënyrë të dyshimtë përreth ndërtesës në rrugën Lysikratous, rreth pesë orë përpara shpërthimit.

Dy prej tyre shihen duke hyrë në shkallët e ndërtesës, ku qëndrojnë vetëm për pak minuta. Më pas, të tre largohen me nxitim së bashku, duke mbajtur në duar një pjesë tubacioni bakri.

Përpara këtij konstatimi, raporti i hartuar nga laboratori i Universitetit Politeknik Kombëtar të Athinës kishte arritur në përfundimin se pika e rrjedhjes së gazit ndodhej brenda ndërtesës, pranë matësit në katin përdhe, dhe jo në pjesën e jashtme të instalimit.

Tre të arrestuarit rezultojnë të jenë evidentuar dhjetëra herë më parë nga autoritetet për vjedhje, grabitje, mbajtje armësh, narkotikë dhe plagosje të rënda.

Si u shkaktua shpërthimi

Zbardhja e ngjarjes u bë e mundur një ditë më parë nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Zjarrvënies pranë Shërbimit Zjarrfikës, nën mbikëqyrjen e prokurorisë.

Tre të arrestuarit akuzohen se, disa orë përpara tragjedisë, vodhën një tub bakri nga instalimi i gazit natyror në ndërtesë. Sipas vlerësimit të hetuesve, autorët tentuan ta prisnin tubin me një prerëse metalike dhe më pas e tërhoqën atë, duke shkaktuar shkëputjen e tij dhe krijimin e një çarjeje në instalimin e brendshëm.

Si pasojë, gazi filloi të rridhte dhe gjatë orëve në vijim u përhap në përqendrime shumë të larta deri në katin e dytë të ndërtesës, ku banonte një çift të moshuarish.

Në momentin kur e moshuara shkoi në banjë dhe ndezi çelësin e dritës, shkëndija elektrike shkaktoi shpërthimin vdekjeprurës.

Përmasat e shpërthimit pasqyrohen edhe në një fotografi-dokument, të siguruar dhe publikuar nga protothema.gr, ku flakët shihen si në katet e sipërme, ashtu edhe në katin përdhe të ndërtesës. Kjo për shkak se gazi natyror ishte përhapur në një pjesë të konsiderueshme të godinës.

Në të njëjtën fotografi dallohet edhe një furgon i zi, i cili, sipas informacioneve, ishte një automjet transporti shkollor që kishte kaluar në atë zonë vetëm pak sekonda përpara shpërthimit.

Kjo rastësi në kohë shmangu mundësinë që edhe automjeti shkollor të përfshihej në epiqendrën e tragjedisë.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion