Protesta studentore / Rama sulmon të rinjtë: Kanë relativizuar dhunën, e cilësojnë përpjekje për të përmbysur sistemin

Politikë

Protesta studentore  / Rama sulmon të rinjtë: Kanë relativizuar

Kryeministri Edi Rama ka komentuar sërish protestat studentore kundër qeverisë, duke kritikuar qasjen e një pjese të shoqërisë ndaj dhunës dhe mënyrën se si, sipas tij, po justifikohen veprimet e dhunshme të protestuesve.

Rama e cilësoi shqetësuese panoramën e krijuar, duke theksuar se dhuna është relativizuar, justifikuar dhe madje himnizuar.

“Ndajmë opinionin që jemi bërë dëshmitarë të një panorame shqetësuese, shumë shqetësuese, të qasjes së një pjese të shoqërisë ndaj një tabuje që është një tabu për të gjitha demokracitë, të gjitha kushtetutat demokratike. Është një tabu për të gjitha rrugët e bashkëjetesës në demokraci, që është dhuna”, u shpreh kryeministri.

Rama kritikoi gjithashtu atë që e cilësoi si imunitet mediatik për personat që ushtrojnë dhunë ndaj institucioneve, shkollave dhe pronës publike apo private.

Sipas tij, këta persona po paraqiten si përfaqësues të një përpjekjeje të admirueshme për të përmbysur sistemin.

Edi Rama: Ndajmë opinionin që jemi bërë dëshmitarë të një panorame shqetësuese, shumë shqetësuese, të qasjes së një pjese të shoqërisë ndaj një tabuje që është një tabu për të gjitha demokracitë, të gjitha kushtetutat demokratike. Është një tabu për të gjitha rrugët e bashkëjetesës në demokraci, që është dhuna.

Dhe kemi parë se si dhuna është relativizuar, se si dhuna është justifikuar dhe se si dhuna është himnizuar. Dhe jo vetëm kaq, por kemi parë se si dhuna ka marrë një drejtim tërësisht keqinformues, keqedukues, duke u kthyer në një stigmë të Policisë së Shtetit.

Ndërkohë që të gjithë dhunuesit e institucioneve, shkollave, mësimit, e lirisë dhe të drejtës së gjithkujt për të pasur një qëndrim ndryshe, për të qëndruar në mësim, e pronës publike apo private, kanë marrë një status qytetar dhe një imunitet mediatik si përfaqësues apo përcjellës të një përpjekjeje të admirueshme për të përmbysur një sistem.

Kjo e gjitha është, natyrisht, e lehtë të ekspozohet dhe kritikohet, por nëse mbetemi te ekspozimi dhe kritika, do ta kemi përpara në forma dhe momente nga më të ndryshmet, si një mjet të ri të adoptuar nga shoqëria, që pastaj mund të përdoret individualisht nga secili. Nga çdo i ri apo e re i keqkuptuar.

Mund të kthehet në një mjet që mund të përdoret kundër mësuesit, dhuna, shkollës, pedagogut, universitetit, pronarit të sipërmarrjes, që mund të përdoret kundër gjithkujt apo gjithçkaje që dikush apo disa e konsiderojnë pengesë për të ushtruar të drejtat e tyre në një hapësirë të lirë, ku liria e secilit nuk mbaron aty ku fillon ajo e të tjerëve. Ky është fenomeni që na është shfaqur.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion