Dyshonte se i ngacmonte të dashurën dhe tentoi të vriste 28-vjeçarin, dënohet biznesmeni (EMRI)

Aktualitet

Dyshonte se i ngacmonte të dashurën dhe tentoi të vriste

Altin Jakini, sipërmarrës shqiptar në fushën e ndërtimit, është dënuar me 11 vite e 6 muaj burg nga Gjykata e Cuneos në Itali, për tentativën e vrasjes së një 28-vjeçari.

Ngjarja për të cilën Jakini u dënua ndodhi në tetor të vitit 2023, në Manta të Cuneos. Fillimisht ajo u duk si një aksident rrugor, pasi 28-vjeçari kishte dalë nga rruga me automjetin e tij dhe ishte gjetur në gjendje të rëndë nga ekipet e shpëtimit.

Por, para se të futej në sallën e operacionit në Cuneo, i riu i kishte treguar një karabinieri identitetin e personit që e kishte qëlluar me armë.

Sipas hetimeve, Jakini ndodhej në drejtimin e një furgoni nga i cili u qëllua ndaj 28-vjeçarit me një pistoletë të kalibrit 22.

Gjykata ka përjashtuar rrethanën rënduese të paramendimit, për të cilën prokurorja Francesca Lombardi kishte kërkuar një dënim prej 15 vitesh burg.

Ndërkohë, gjykata ka shpallur të pafajshëm Andrea Dedin, në atë kohë punonjës i Jakinit, i cili akuzohej se e kishte ndihmuar në kryerjen e atentatit.

Viktima dhe Jakini ishin të dy shqiptarë dhe banonin në Manta. Sipas asaj që u bë e ditur gjatë procesit gjyqësor, motivi i tentativës së vrasjes dyshohet të ketë qenë xhelozia.

28-vjeçari, i cili punonte si murator, dyshohej nga Jakini se ishte rival në lidhje me të dashurën e tij. Në ditët para ngjarjes, i riu kishte tentuar ta qetësonte dhe ta bindte se nuk kishte arsye për të qenë xheloz.

ME TE LEXUARAT