Braçe: Në fillim iu bashkova protestës, në PS u hapën fjalë sikur e organizoja unë

Politikë

Braçe: Në fillim iu bashkova protestës, në PS u hapën

Deputeti socialist Erion Braçe, i ftuar në studion e “Të Paekspozuarit” në Vizion Plus, të moderatorit Ylli Rakipi, teksa komentoi protestat, preku edhe disa nga arsyet pse shqiptarët dalin në shesh.

Sipas tij, shumë qytetarë dalin në protestë për shkak të çmimeve të larta, të cilat nuk do të ulen për sa kohë tregu është monopol.

Braçe tha se gjatë dy javëve të para edhe ai u bë pjesë e protestës, aq sa në PS nisën të thoshin se ishte Braçe ai që po e organizonte protestën.

Pjesë nga biseda:

Braçe: Dy javët e para vajta disa herë në protestë, aq sa thanë në parti që protestën e organizon Braçe dhe një tjetër. Por nuk është ashtu. Ne bëjmë një gabim shumë të madh: marrim vendime për ata, pa i pyetur ata.

Rakipi: Po çmimet i ke parë, zoti Braçe? Vite më parë, doktori donte të më paguante kafen, nxirrte 2 mijë lekëshin, por çmimet nuk ishin aq. Vetëm Angjeli e dinte sa ishin çmimet?

Braçe: Ajo që bëri kryeministri është gjë e mirë. Por unë nuk e pranoj që kemi zgjedhur të kemi treg të lirë dhe, nga ana tjetër, të pranojmë monopolet, pasi ato kanë ndikuar drejtpërdrejt te çmimet.

Ato kanë ndikuar drejtpërdrejt te çmimet, te liria dhe te konkurrenca në treg, duke favorizuar disa elementë të caktuar. I vendosin çmimet si duan në momentin që kanë monopolin e tyre.

Ne duhet të përballemi me monopolet e produkteve dhe me monopolet e tregjeve që kemi krijuar. Për shkak të çmimeve, ne themi se i kemi rrogat e vogla. Rroga e ka një limit deri ku mund të rritet, pasi ndjek tregun e punës.

Ne kërkojmë rroga më të larta për shkak të çmimeve më të larta, por po hyjmë në një cikël ku po shpenzojmë më shumë, duke futur edhe sektorin privat në krizë.

ME TE LEXUARAT