Pse gjobiten shoferët? Parkimi i gabuar, 1 në 3 masa administrative për qëndrime të ndaluara në rrugë

Parkimi i gabuar dhe qëndrimet në vende të ndaluara kryesojnë listën e shkeljeve rrugore të evidentuara në Shqipëri. Të dhënat më të fundit të Institutit të Statistikave (INSTAT) tregojnë se gjatë vitit 2025, një në tre masa administrative të përfshira në statistikat e sigurisë rrugore është vendosur për qëndrime ose pushime të ndaluara.
Sipas publikimit “Statistika mbi Sigurinë Rrugore 2025”, kjo kategori përbën 34% të masave administrative, duke regjistruar një rritje të peshës së saj krahasuar me vitin 2024, kur përfaqësonte 31.1%, dhe vitin 2023, kur zinte 30% të totalit.
Në vendin e dytë renditen shkeljet e normave të lejuara të shpejtësisë, me 18.9% të masave administrative. Megjithatë, pesha e kësaj kategorie ka shënuar rënie të ndjeshme, nga 25,4% në vitin 2024. Kjo përbën një tkurrje prej 6.5 pikësh përqindjeje brenda një viti.
Ndërkohë, mosrespektimi i sinjalistikës rrugore renditet i treti, duke përfaqësuar 14.3% të masave administrative, nga 12.6% që ishte një vit më parë. Në rritje rezulton edhe pesha e shkeljeve që lidhen me parakalimet e gabuara, nga 7.4% në 7.7%.
Përdorimi i telefonit gjatë drejtimit të automjetit përbën 3.4% të masave administrative, ndërsa mosvendosja e rripit të sigurimit ose mosrespektimi i sistemeve të fiksimit zë 5.5%.
Në tërësi, numri i masave administrative të përfshira në raport është rritur me 2.2% gjatë vitit 2025 krahasuar me vitin paraardhës.
Të dhënat tregojnë se shkeljet që lidhen me parkimin dhe qëndrimin e ndaluar vazhdojnë të zënë peshën kryesore në masat administrative të evidentuara, ndërsa shkeljet e shpejtësisë, pavarësisht rënies së peshës së tyre, mbeten kategoria e dytë më e madhe.


