Fevziu: SPAK ka trokitur në oborrin e Ramës! Kryeministri do të përballet me zgjedhje

Politikë

Fevziu: SPAK ka trokitur në oborrin e Ramës! Kryeministri do të

Gazetari Blendi Fevziu ka komentuar situatën aktuale politike në vend dhe hetimet e SPAK-ut që kanë përfshirë zyrtarë të lartë, në studion e emisionit “Të Paekspozuarit”, drejtuar nga Ylli Rakipi.

Ai u shpreh se klima politike në vend i kujton fundin e viteve ’80, duke theksuar se mungon frymëzimi si në radhët e mazhorancës, ashtu edhe në opozitë.

Sipas Fevziut, mazhoranca ndodhet nën presionin e hetimeve të SPAK-ut, ndërsa opozita nuk po arrin të krijojë një frymëzim të fortë për të ardhmen.

Duke komentuar pozicionin e kryeministrit në raport me hetimet, moderatori theksoi se SPAK-u tashmë ka trokitur në rrethin e tij politik.

Sipas Fevziut, Rama do të përballet me vlerësimin e qytetarëve në zgjedhjet e ardhshme, ndërsa përgjegjësia për vendimin për ta votuar sërish u takon vetë zgjedhësve.

Pjesë nga intervista:

Rakipi: Sezoni i ri politik ka nisur shumë vrullshëm, me shumë skandale dhe hetime të SPAK-ut në oborrin e mazhorancës. Si e shihni situatën aktuale politike? A është Rama në vështirësi? Si i shihni pozitat e tij?

Fevziu: E para njëherë, atmosfera e sotme mua më kujton atmosferën e fundit të viteve të tetëdhjeta, ku inspirimi dhe besimi i njerëzve në diçka ka rënë. Gjithsecili mundohet të stabilizojë veten e tij, të bëjë punët e tij dhe nuk pyet për tjetrin, pra frymëzimi mungon nga të gjitha anët. Mazhoranca nuk ka si të ketë frymëzim sepse është nën goditjen e SPAK-ut dhe po dalin gjëra që shpeshherë janë të frikshme. Nga ana tjetër, edhe opozita nuk ka ndonjë frymëzim të madh për të impresionuar për të ardhmen.

Rakipi: Ai thotë që përgjegjësia është individuale.

Fevziu: Përgjegjësia penale është individuale, përgjegjësia politike është kolektive.

Rakipi: Si e mendoni ju këtë shpjegim tani? Sepse ai thotë se përgjegjësia është individuale dhe Rama e përjashton veten nga përgjegjësia, ndërkohë që kanë rënë në rrjetin e SPAK-ut ose njerëz të afërt me të, ose të emëruar prej tij.

Fevziu: SPAK po troket në oborrin e Ramës, ka trokitur më sakt. Përgjegjësia publike politike është më e gjerë, nuk mund të jetë e një personi të vetëm. Është e lidershipit. Kështu që Rama do të përballet me zgjedhjet, por pastaj në qoftë se shkojnë dhe e votojnë përsëri, ky është një problem tjetër. Unë ju kam thënë dhe dëgjoj shpeshherë në protestë, kam dëgjuar njerëz që thonë: “E votova katër herë, por u zhgënjeva”. Në qoftë se ke votuar katër herë, mos u zhgënje më, se një herë të falet, ja edhe dy herë po ta fal, por katër herë tejkalohet.

ME TE LEXUARAT