Flakë te Pazari i Ri, protestuesit u vënë zjarrin tezgave

Protesta në Tiranë është zhvendosur edhe në zonën e Pazarit të Ri, ku disa protestues u kanë vënë flakën tezgave të tregtarëve, duke shkaktuar shqetësim te qytetarët dhe pronarët e bizneseve.
Situata është bërë veçanërisht shqetësuese për shkak të materialeve prej druri që ndodhen në këtë zonë, të cilat mund të favorizojnë përhapjen e shpejtë të zjarrit.
Përballë flakëve, një qytetar ka ndërhyrë për të shuar zjarrin, ndërsa në ndihmë të tij janë bashkuar edhe pronarët e bizneseve pranë vendngjarjes.
Ndërkohë, incidente të tjera janë regjistruar edhe pranë Prokurorisë së Tiranës.
Një grup protestuesish, që është zhvendosur drejt rrugës ku ndodhet institucioni, u ka vënë flakën disa koshave të mbeturinave.
Këto zhvillime vijnë pas disa orësh proteste në kryeqytet, e cila është shoqëruar me përplasje me policinë, dëmtime të pronës dhe zjarre në zona të ndryshme të Tiranës.


