“Kush ka këllqe të më përfaqësojë mua”, Plarent Dervishaj largohet nga salla e gjyqit: Janë shtrembëruar dëshmitë

Aktualitet

“Kush ka këllqe të më përfaqësojë

Seanca e sotme ndaj Plarent Dervishaj është shoqëruar me debate. Dervishaj ka revokuar avokatët dhe është larguar nga salla pas tensioneve.

Plaurent Dervishaj: “Nuk marr pjesë në seancat gjyqësore, nëse ka këllqe ndonjë avokat tjetër të vijë të  më përfaqësoj mua në këtë proces. Nuk keni forcë të përballeni me të drejtat e mia, duke parë që gazetarët dizinformojnë deklarimet e dëshmitarëve. Nuk e kam për të gjithë, por për emra të veçantë. Çfarë kërkojmë ne këtu? Unë heq dorë nga avokatët Ilia Ilia dhe Gerta Gorjani. Bëni gjyqin vetë, prokurorin ja ku e jeni. Nuk paraqitem më në gjyq".

Prokurori i çështjes, Adnan Xholi, theksoi se largimi i avokatëve është i papranueshëm dhe kërkoi ndërhyrjen e Gjykatës.

 

"E drejta e pandehurit të marrë ose jo pjesë në gjykim. Pavarësisht kërkesës së të pandehurit, nuk do duhej që avokatët të largoheshin nga salla, megjithatë do merren masa nga gjykata. Kërkoj të zëvendëson me avokatë kryesisht, në rast të kundërt të shtyhet seanca duke pezulluar dhe afatet e paraburgimit për të dy dhe të njoftohet Dhoma Kombëtare e Avokatisë për braktisjen e seancës nga avokatët", tha ai.


Ndërkohë, avokati i Julian Meçajt, Isuf Shehu, kërkoi që çdo vendim të mos cenojë afatet e paraburgimit.

“Vendimi të jetë i diferencuar për pezullimin e afateve të paraburgimit, pasi nuk ka asnjë shkak për këtë dhe asnjë shkak për shtyrjen e seancës gjyqësore”, theksoi ai.

Seanca e radhës u shty për më datë 5 dhjetor, ndërsa Dervishaj do të përfaqësohet nga avokat kryesisht.

Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçaj u ekstraduan nga Dubai në gusht të vitit 2024. Dervishaj akuzohet si organizatori i atentatit ndaj ish-prokurorit në nëntor 2019 ndërsa Meçaj si një nga autorët që qëlloi në drejtim të tij. SPAK e zbardhi atentatin ndaj ish-prokurorit Ndoja pas mbërritjes nga Franca të komunikimeve në “SkyECC”.

Vendimi i GJKKO për 5 nga të përfshirët në atentatin ndaj Ndojës, Ramazan Rraja, Genti Ndërjaku, Bashkim Haxhia, Endrit Sinani dhe Julian Pjetri u dha në tetor të vitit 2024. Po ashtu për këtë ngjarje është dënuar me burg përjetë Redjan Rraja, nipi i ish-deputetit socialist Rrahman Rraja, dhe me 35 vite Ariol Halili.

 

ME TE LEXUARAT