Pirgje dhe valixhe me para, zbulohen pamjet e 'shtëpisë kasafortë' të grupit Çopja

Aktualitet

Pirgje dhe valixhe me para, zbulohen pamjet e 'shtëpisë

Një dhomë e mbushur me miliona euro, një person që qëndroi mbi 24 orë duke numëruar paratë dhe një makineri numërimi që u prish nga përdorimi. Këto janë disa nga detajet e publikuara nga moderatori Blendi Fevziu lidhur me dosjen e grupeve kriminale të Franc Çopjas dhe Ervis Çelës, të hetuara për trafik ndërkombëtar të kokainës.

Fevziu ka publikuar një fotografi të realizuar në një banesë në Shqipërinë e mesme, ku shihen sasi të mëdha kartëmonedhash. Sipas tij, në përfundim të numërimit rezultuan plot 12 milionë euro, të ardhura nga trafiku i drogës.

“Në një dhomë është bërë kjo foto në një shtëpi në Shqipërinë e mesme. Në fund të numërimit i kanë rezultuar 12 milionë euro. 12 milionë euro kanë dalë nga trafiku i drogës. Janë materiale që trafikantët i kanë përdorur. Janë foto që i takojnë çështjes që lidhen me grupet Çopja-Çela”, deklaroi Fevziu.

Gazetari Eni Ferhati sqaroi se fotografia nuk paraqet para të sekuestruara nga autoritetet, por materiale që, sipas dosjes, anëtarët e grupeve kriminale ia dërgonin njëri-tjetrit gjatë komunikimeve.

“Paratë janë në Peqin. Në dosje thuhet se paratë dorëzoheshin nga organizatat me çanta apo valixhe te korrierët në Elbasan apo Peqin. Këto nuk janë para të gjetura, këto janë foto që ia dërgonin njëri-tjetrit”, tha Ferhati.

Gazetarja Klodiana Lala dha detaje të tjera nga komunikimet e përfshira në dosjen hetimore, të siguruara përmes aplikacionit të enkriptuar SKY ECC. Sipas saj, sasia e parave ishte aq e madhe, sa personat që merreshin me numërimin ankoheshin për prishjen e makinerisë.

“Kryesori është Ervis Çela. Janë në një shtëpi në një fshat të Elbasanit. Këto përgjime janë nga SKY ECC, aty janë edhe foto me armë e të tjera. Këtu kanë një problem se u prishet makina e numërimit. E thonë te dosja, ‘kemi ngelur se na është prishur makina e numërimit’

Franc Çopja është i pari që ka futur kriptomonedhën. I fshihnin në rrënjët e ullirit. SPAK ka shkulur ullirin për t’i gjetur. Sa u përket Çelave, kanë pasuri të papërfillshme në lidhje me aktivitetin që kishin”, deklaroi Lala.

Fotografitë dhe komunikimet janë pjesë e materialeve të dosjes që lidhet me grupet Çopja dhe Çela, të cilat dyshohen se kanë organizuar trafikimin e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika Latine drejt porteve europiane.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion